Ish-kryetari i Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili ka udhëhequr me kryeqytetin për 8 vjet, ka thënë se sa ka qenë ai në Prishtinë kanë punuar më shumë në pjesën e brendshme të Prishtinës.
Ai për emisionin “038” ka thënë se kishin planifikuar që shkollat mesme t’i zhvendosnin në zonat urbane.
Mustafa ka thënë se projektet tjera madhore si ngrohja e ujësjellësi janë përfunduar, por shton se nuk ka asnjë projekt tjetër të ri i cili është zhvilluar gjatë kësaj kohe.
“Në pozitat edhe në komunë edhe në pozitat tjera qeveritare, kurrë nuk përfundojnë projektet në mandate. Ujësjellësi ka filluar në mandatin tim, e kemi filluar edhe në bashkëpunim me BE-në dhe është një projekt që është realizuar me një koncept të mirë. Për mua është e rëndësishme që qytetarët kanë ujë. Unë atëherë mundohesha t’i bindë qytetarët që është përfunduar puna e ujësjellësit, por ata nuk arrini të kuptonin atë që thosha unë, ndërkaq Shpend Ahmeti në kohë fushate e lëshonte një qepë me ujë në mënyrë virtuale dhe thoshte që ky do të jetë uji për 24 orë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kishin punuar shumë në qytet edhe në pjesën e fshatrave.
Sipas tij, ai ka qenë i bindur që me punën që kishin bërë, nuk vinte fare në pyetje se a do t’i merrnin votat.
Mustafa ka thënë se vendimi i qytetarëve për ndryshime nuk është gjithmonë vendim i qëlluar.
Ai shton se këto ndryshime nuk bëhen askund.
“Projektet e komunës janë projekte që zgjasin. Nëse qytetarët vendosin që t’i ndryshojnë shpesh qeverisjet atëherë projektet nuk përfundohen. Më tepër jemi të prirë që ta heqim një qeverisje e ta shtojmë një tjetër. Nëse do të ishin realizuar projektet që ne i kishim planifikuar atëherë do të kishin përfituar qytetarët. Unë gjatë mandatit të dytë jam zgjedhur kryetar i LDK-së dhe nuk mund të them se ajo nuk ka ndikuar, sepse para kësaj gjithë kohen time ja kam kushtuar Prishtinës. Unë mendoj që është bërë një punë e mirë. Nivelin qendror e kam kritikuar, për shkak edhe të ndërhyrjes që e bënin në Prishtinë pa asnjë arsye, për pengesën që na bënte, për zhegitjen për ligjin e Prishtinës. Gjatë mandatit tim nuk kam pasur përkrahje nga niveli qendror”, ka thënë ai.