Kryeshefi Ekzekutiv në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), Kushtrim Hodaj në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se IPK-ja ka propozuar suspendimin e 108 zyrtarëve policorë deri tani nën dyshimin se janë përfshirë në ryshfet e korrupsion.
Sipas tij, IPK-ja i posedon pamjet e zyrtarëve duke marr ryshfet. Hodaj ka thënë se kanë pranuar mbi 500 ankesa për shkelje të ndryshme ku mbi 150 prej tyre janë dërguar për hetim penal.
“Inspektorati Policor gjatë këtij viti ka pasur një ritëm të shtuar të angazhimeve në hetimin e zyrtarëve të dyshuar për vepra penale. Si rezultat i këtyre hetimeve dhe një numër të konsiderueshëm të ankesave që i kemi pranuar gjatë këtij viti, kemi arrestuar 87 zyrtarë policorë në raste të ndryshme penale. Kryesisht janë dy raste të mëdha që lidhen me marrjen e ryshfetit apo korrupsionit. Janë mbi 500 ankesa që janë pranuar për shkelje të ndryshme ndaj zyrtarëve policor. Mbi 150 janë dërguar për hetim penal në departamentin e hetimeve dhe një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve janë nën hetime për shkak të këtyre rasteve. Deri më tani kemi rekomanduar suspendimin e 108 punonjësve të policisë që lidhen me vepra të ndryshme penale, me keqpërdorim të detyrës zyrtare, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave apo raste të tjera”, ka thënë Hodaj.
Ai ka shtuar se do të ketë edhe aksione të tjera.
“Po ne në vazhdimësi punojmë, kemi raste që trajtojmë. Pranojmë informacione edhe prej qytetarëve edhe prej rrugëve të ndryshme operative dhe si rezultat i këtyre angazhimeve dhe hetimeve tona sigurisht që mund të ketë edhe raste të tjera që janë në proces, dhe do të përfundojnë në kohën e duhur kur të arrijnë t’i dëshmojmë ato dyshime të cilat ne jemi duke hetuar”, është shprehur ai.
Pohimeve se po bëhet spektakle me arrestime dhe se po dëmtohet reputacioni i Policisë, Hodaj i është përgjigjur me faktin se ky aktivitet ka pasur për qëllim ruajtjen e integritetit të Policisë së Kosovës.
“E di që është transmetuar ndoshta prej shumë avokatëve apo prej analistëve që po konsiderohen si spektakël këto arrestime. Kur është numri i madh i zyrtarëve policorë sigurisht se duhet të ketë operacione më të mëdha dhe operacionet e mëdha tërheqin vëmendjen edhe të mediave edhe të publikut. Nuk është bërë asnjë veprim për spektakël, mund të ketë edhe ankesa për shkak se disa prej tyre lirohen në procedurë të rregullt. Ne jemi të bindur dhe e themi me plotë përgjegjësi që për të gjithë këta zyrtarë të arrestuar kemi prova të mjaftueshme, kemi prova me pamje me video ku këta shihen duke marr ryshfet shumica prej tyre. Janë raste të dëshmuara nuk kemi të bëjmë me një aksion thjeshtë për ta dëmtuar reputacionin e Policisë, mirëpo krejt aktiviteti jonë bëhet me qëllim që të ruhet integriteti i Policisë dhe të pastrohet Policin njëherë e mirë prej elementeve që e diskreditojnë”, ka thënë ai.
Inspektorati Policor në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale kanë arrestuar një javë më parë 26 zyrtarë policorë në pikë kalimin kufitar në Vërmicë, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: marrje ryshfeti dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare. Në mesin e të arrestuarve janë dy rreshterë dhe 24 zyrtarë policorë.
Operacionit i 8 prillit i ka paraprirë një hetim rreth një-vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë./EO