Interi e mbylli fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve në pozitën e dytë, e cila ia siguroi kualifikimin në të tetën e finales së kësaj gare.
Trajneri Simone Inzaghi e ka komentuar këtë eksperiencë, e cila ishte e suksesshme për “Nerazzurri”, të cilët e lanë jashtë garës Barcelonën, derisa shkuan tutje bashkë me Bayern Munichun.
Zikaltrit humbën 0:2 nga gjiganti bavarez në ndeshjen e fundit, të cilën e luajtën sa për prestigj pasi tashmë e kishin siguruar kualifikimin, shkruan “Gazeta Epress”.
“Mund ta themi se kemi ushtruar mirë në këtë grup me Bayernin dhe me Barcelonën. Pasi dolëm të dytit, do të jetë një short i vështirë, por e kemi parë që në Champions krejt ekipet janë të forta. Do ta shijojmë dhe gëzojmë këtë kualifikim, të cilin e deshëm me sakrificë. Do të mendojmë për këtë punë në muajin shkurt. Tash do të koncentrohemi në kampionat, ku duhet të kemi vazhdimësi pas katër fitoresh radhazi. E dimë se do ta kemi një kalendar jo sumë të lehtë, nga këtu e deri tek pushimet”, u shpreh Inzaghi.
Ndaj Bayernit, ai i ruajti disa lojtarë për ndeshjen e rëndësishme në Serie A ndaj Juventusit.