Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka njoftuar se sot është intervistuar si i dyshuar një deputet i sapo zgjedhur i Kuvendit të Kosovës.
Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se deputeti S.S, me datë 16 qershor 2023, dyshohet se ka dhënë urdhër që të sulmohen gazetarët në Leposaviq, transmeton Gazeta Papirus.
Njoftimi:
Intervistohet si i pandehur një deputet i Kuvendit të Kosovës për sulmet ndaj gazetarëve në vitin 2023 në Leposaviq
Mitrovicë, 11 prill 2025 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se i është marrë deklarata në cilësinë e të pandehurit personit me iniciale S.S., deputet i posa zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, me dyshimin se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 404 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri S.S., dyshohet se me datë 16 qershor 2023, gjatë protestave kundër vizitës së ish-ministrit E.K., në Leposaviq, ka dhënë urdhër që të sulmohen gazetarët, dhe me këtë ka kryer veprën penale për të cilën është intervistuar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.