Realizoi: Rozetë Telaku
Esad Dujaka nga Gjakova, një figurë e shquar e gazetarisë, një profesionist që ka kaluar më shumë se 55 vite duke ndriçuar të vërtetën, duke raportuar ngjarjet më të rëndësishme dhe duke lënë gjurmë të pashlyeshme në mediat shqiptare si “Rilindja”,”RTP” e “RTV21”.
Tashmë në pension, ai vazhdon të mbetet një shembull i gjallë i pasionit dhe këmbënguljes në profesionin e gazetarit. Në këtë intervistë, do të zbulojmë sfidat, përvojat dhe mësimet që ka marrë gjatë udhëtimit të tij të gjatë, si dhe mendimet e tij për gazetarinë e sotme.
Çfarë ju frymëzoi të bëheshit gazetar?
“Pse iu qasa kësaj rruge që të bëhem gazetar? Në shkollën fillore në Gjakovë në vitet e 50-ta të shekullit të kaluar, ” fajtor” për këtë ishte arsimtari i gjuhës shqipe, Mazllum Hoxha…Ai na mblodhi në grupin letrar të shkollës që na printe Teki Dervishi, tash i ndjeri poeti që pas vetes la vepra të paharrueshme si dhe veprimtarinë patriotike”.
Çfarë ju kujtohet nga dita juaj e parë si gazetar?
“Ato vite rastësisht si nxënës i fillores fillova bashkëpunimin me emisionin e fëmijëve të Radio Prishtinës ku u njoha me poetët e ardhshëm Rrahman Dedaj, Rifat Kukaj,Qamil Batalli…
Më vonë, si gjimnazist vazhdova bashkëpunimin me revistën” Zëri i rinisë” por edhe me “Rilindjen” në faqen e komunave tona, me lajme nga Gjakova…
Ky ishte fillimi i “i fektimit” tim nga kjo dashuri e parë”.
Çka kujtoni nga këto 5 dekada punë?
“Kujtimet nga këto 5 dekada e më shumë, janë ato nga ka kaluar edhe populli i Kosovë, dekada në luftën historikejo vetëm me armë por në shumë sfera të jetës. Një segment i jetës së Kosovës drejt pavarësisë, pos arsimit, shëndetësisë ishte edhe gazetaria në rrethana të vështira, ku si thotë populli “mishi të piqej e helli të mos digjej”.
Cilat kanë qenë sfidat në profesionin tuaj?
“Gazetarë i shiut dhe i diellit, thotë një sintagmë e huaja për profesionin e gazetarisë. Të jesh gazetarë 24 orë gjatë ditës.Të jetosh me hallet e përditshmërisë së qytetarit, të informosh shpejtë,drejtë e me argumente nga ngjarjet e ndryshme nga përditshmëria pra tregu,trafiku moti,arsimi,kultura,sporti,politika e deri te lufta nga fronti i së cilës kanë raportuar gazetarët e këtij vendi nga Prekazi legjendar, e Mitrovica,Reçaku,Zona e Pashtrikut, e Llapit, e Dukagjinit e tërë Kosova, por edhe nga Tetova Presheva e vise të tjera”.
Nëse do të kishit mundësi ta fillonit përsëri karrierën tuaj, a do të bënit të njëjtën zgjedhje?
“Gazetarinë duhet dashur, ajo nuk më ka bërë të pasur jetoj në një banesë as 50 m2 në Kodër të Diellit, kam familje, grua, fëmijë nipa e mbesa…Atyre nuk iu kisha preferuar që të bëhen gazetarë, nuk e di se pse, por kam vuajtur shumë këto 6 dekada! Ata megjithatë le ta zgjedhin profesionin e jetës së tyre! Unë mburrem me ta, e besoj se edhe ata nuk do të zhgënjehen me mua,si baba e si gjysh, sepse jam munduar që si njeri me nder e si profesionist të arrij deri këtu, në dekadën e 8-të të jetës sime”.