Inteligjenca amerikane po thotë se grupi terrorist që sulmoi veriun këtë fundjavë është i ndërlidhur me forcat speciale serbe dhe me inteligjencën ushtarake ruse.
Kështu së paku ka deklaruar për “Fox News Digital” Rebekah Koffler, presidente e “Doctrine & Strategy Consulting” dhe një ish-oficere e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes së ShBA-së.
“Analiza paraprake e inteligjencës bën me dije se personat e përfshirë në përleshjen vdekjeprurëse pranë fshatit Banjskë në veri të Kosovës më 24 shtator, ishin të lidhur me forcat speciale serbe dhe inteligjencën ushtarake ruse”, tha Koffler. “Sulmuesit dukeshin të trajnuar profesionalisht dhe disa prej tyre flisnin serbisht dhe rusisht. Ndërsa prania e mercenarëve të Wagner-it nuk mund të konfirmohej, nuk e përjashtoj mundësinë e pjesëmarrjes së tyre në këto ngjarje të fundit”.
Koffler paralajmëroi gjithashtu për ndërhyrjen ruse. “As Rusia dhe as Serbia, të cilët janë aleatë të vendosur, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Është qëllimi i tyre afatgjatë për të ndryshuar situatën. Ka indikacione se Rusia dhe Serbia po punojnë së bashku për të ndezur një konflikt tjetër masiv serbo-shqiptar, për të krijuar justifikim për dislokimin e forcave serbe për të siguruar ‘paqe dhe stabilitet’”.
“Operacionet e fshehta të destabilizimit të kryera nga grupe mercenare si Wagner janë një zanat i vjetër standard i përdorur nga Putini kur ai ka nevojë për të fshehur dorën e qeverisë ruse. Do të ishte në përputhje me doktrinën ruse të përshkallëzimit anësor nëse Putini do ta ndihmonte Vuçiqin për të zhvilluar një fushatë destabilizimi në Kosovë për të larguar vëmendjen e Uashingtonit dhe forcave të NATO-s nga Ukraina. Ajo që Putini ka më shumë frikë është vendosja e forcave të NATO-s në arenën në Ukrainë”.
Për “Fox News Digital” ka folur edhe ambasadori i Kosovës në ShBA, Ilir Dugolli. Ai u shpreh i bindur se Beogradi është përgjegjës për sulmin e fundit në veri.
“Nuk ka dyshim se Beogradi është plotësisht përgjegjës për nxitjen dhe sponsorizimin sistematik të dhunës kundër institucioneve demokratike të Kosovës”, tha Dugolli.
Ai tha se edhe pse pretendimet për praninë e Wagnerit në Kosovë nuk mund të përjashtohen, është e qartë se sulmuesit kanë lidhje me Beogradin.
Ambasadori i Kosovës në ShBA pohoi gjithashtu se policia e Kosovës sekuestroi dokumente në lidhje me Milan Radojiçiqin, një kriminel famëkeq dhe nënkryetar i partisë kryesore politike serbe në Kosovë, i cili është bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të Serbisë. Fakti që dokumentet e Radojiçiqit u sekuestruan dhe disa të dyshuar gjetën strehë në Serbi, tregon përfshirjen e autoriteteve serbe që refuzojnë të dorëzojnë ata që ekzekutuan sulmin, pretendoi ambasadori.
Dugolli pohoi se kjo i përshtatet një modeli të sjelljes së qëllimshme të Serbisë ndaj Kosovës në kohët e fundit.
“Është Beogradi ai që orkestroi largimin e serbëve të Kosovës nga institucionet, ashtu siç regjimi i Serbisë refuzon të shpërbëjë strukturat ilegale të sigurisë, frikëson serbët e Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhje, i detyron ata të vendosin barrikada, urdhëron sulme ku më shumë se 90 ushtarë të KFOR-it, shumë policë dhe gazetarë u plagosën rëndë, nuk i ndëshkon ata që janë përgjegjës për sulmet dhe vazhdimisht shkel sovranitetin, integritetin territorial dhe sigurinë kombëtare të Kosovës”, tha ambasadori.
Ndërkaq, homologu i tij serb në ShBA, Marko Gjuriq, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, por tha se Kurti mban përgjegjësi për gjakderdhjen në veri të Kosovës.
“Gjakderdhja në veri të Kosovës është një tragjedi që mund dhe duhej të parandalohej. Politikat e papërgjegjshme të Albin Kurtit kanë krijuar terrenin për tragjedinë e sotme”, tha Gjuriqi për “Fox News Digital”.
Ai bëri pesë akuza të ndara kundër qeverisë Kurti, ndër të tjera për strukturën monoetnike të forcave të Kosovës në veri, mosrespektim të marrëveshjeve ekzistuese, trajtim terrori ndaj popullatës serbe në veri që ka përfshirë shumë bastisje në zonat serbe, dërgim me forcë të kryetarëve të komunave të veriut të Kosovës dhe prishje publike të bisedimeve të normalizimit të ndërmjetësuara nga BE-ja.
Gjuriqi hodhi poshtë raportet e disa mediave kosovare për përfshirjen e Wagner-it duke nënvizuar komentet e komandantit të KFOR-it, i cili tha se nuk kishte dëshmi për praninë e grupit mercenar në Kosovë.
Në një fjalim televiziv drejtuar kombit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dënoi dhunën dhe hodhi poshtë kategorikisht pretendimin e Kurtit se sulmuesit ishin sponsorizuar nga Beogradi, dhe në vend të kësaj tha se serbët prapa sulmit ishin nga Kosova.
Kisha Ortodokse Serbe gjithashtu e dënoi dhunën, duke thënë në një deklaratë: “Ky është një incident i rëndë që mund të ketë pasoja të mëdha dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të bëhet gjithçka për të ruajtur rendin dhe qetësinë”.
Çdo shpresë për të vazhduar rrugën e paqes dhe pajtimit, e cila dukej premtuese muaj më parë, tani duket më e paarritshme.
“Bisedimet e normalizimit kanë qenë në një ngërç që përpara raundit të fundit të përshkallëzimit”, tha për “Fox News Digital” Helena Ivanov, bashkëpunëtore në Shoqërinë “Henry Jackson”.
“Veçanërisht, Kurti refuzoi propozimin e fundit të BE-së duke insistuar se për çdo hap përpara Serbia duhet së pari ta njohë Kosovën si të pavarur. Kjo kërkesë e Kurtit natyrisht është në kundërshtim me marrëveshjet e nënshkruara më parë, të cilat përcaktojnë se Kosova duhet të krijojë Asociacionin e Komunave [me shumicë, shën. ren.] Serbe. Raundi i fundit i përshkallëzimit me siguri nuk do t’i ndihmojë këto bisedime dhe ka gjasa të çojë në më shumë mosmarrëveshje dhe vështirësi”, theksoi Ivanov.
“FoxNews” shkruan se terrori përfshiu fshatin e vogël të Banjskës në Zveçan të dielën e kaluar, duke shkaktuar tensione të reja në një pjesë të trazuar të vendit.
Të paktën 30 sulmues të armatosur bllokuan një rrugë në fshatin Banjskë të banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe më pas u futën në një manastir ortodoks, duke nisur beteja intensive me armë në të gjithë fshatin dhe duke lënë të vdekur tre nga të armatosurit.
Kryeministri Albin Kurti tha se një polic u vra dhe dy të tjerë u plagosën në rrethim. Pasi policia fillimisht zmbrapsi sulmin, sulmuesit, të veshur me veshje ushtarake dhe me maska në fytyrë, u barrikaduan në një manastir ortodoks serb.
Përleshja nisi në orët e hershme të mëngjesit të së dielës kur dy kamionë pa targa bllokuan një urë që të çon në Banjska. Policia mbërriti dhe u prit me një breshëri zjarri me armë të rënda.
Në përgjithësi, policia e Kosovës konfiskoi një automjet të rëndë të blinduar, 24 automjete SUV, 29 granatahedhës antitank, 150 dinamitë shpërthyes, 142 predha mortajash, 75 granata dore, shtatë granatahedhës raketash dhe tetë mina antitank, dhe më shumë, sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla dhe Drejtorit të Policisë Gazmend Hoxha.