Presidenti bellarus, Aleksandr Lukashenko dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti janë dy udhëheqësit e vetëm në Evropë të cilëve Instituti Ndërkombëtar i Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin (IFIMES) u ka dhënë sihariqe pozitive. Diktatorit bellarus, i cili nga 17 gushti i 2020-s është deklaruar si person non grata në BE, i janë rrahur shpatullat për “rezultate të mahnitshme ekonomike.”
Këtë portret pozitiv për Lukashenkon, Instituti slloven e ka bërë tre ditë para zgjedhjeve presidenciale në Bellarusi, ku autokrati 70-vjeçar fitoi 87.6 për qind të votave në zgjedhje të konsideruara si të kurdisura—në BE e kanë cilësuar këtë fitore si jolegjitime dhe fyerje ndaj demokracisë, duke kërcënuar me sanksione të reja.
Studiuesi i historisë dhe gazetari Col Mehmeti shkruan referuar kësaj analize se “një shërbim të tillë me sa duket IFIMES e ka rezervuar edhe për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen afër 2 javë para zgjedhjeve parlamentare.”
“Në analizën e botuar të premten, Instituti nga Lublana e ka shpallur si favorite partinë e Albin Kurtit në zgjedhje e cila “nuk mund të tejkalohet nga LDK apo PDK”.
“Si pikëmbështetje për këtë skenar jorealist, autorët e analizës kanë marrë matjet kontroverse të kompanisë sllovene ‘Valicon’ — e cila është paguar nga GEN-I slloven me 33 mijë euro prej tetorit të vitit 2023 kur është regjistruar në Kosovë”, shkruan m.
“Me gati tre javë të mbetura gjer në zgjedhje, VV është qartazi favorite dhe nuk mund të tejkalohet nga LDK a PDK. Hisja e projektuar e VV-së në vota sillet prej 40% deri më 59%, duke u varur nga faza e fundit e fushatës”, thuhet në analizën ku autorëve nuk u janë bërë të ditur emrat.
IFIMES-i zbulon ‘komplot’ nga gjyqësori e prokuroria
Siç shkruan më tej Mehmeti, “përqindja fantastike nga 40 deri në 59 nuk është i vetmi ledhatim që Instituti slloven i bën partisë në pushtet në Kosovë.Në pjesën e nëntitulluar “Sajimi i skandaleve është një temë e shpeshtë në Kosovë”, analiza e IFIMES-it ka shtyrë përpara skenarin për gjoja destabilitet të brendshëm me anë të sajimit të skandaleve të ndryshme politike”.
“Ky trend është bërë veçanërisht i shprehur me ardhjen e Albin Kurtit (VV) në krye të qeverisë së Kosovës. Parti të caktuara të opozitës në Kosovë, në bashkëpunim me segmente të akterëve të jashtëm dhe një faksioni maskara brenda aparatit gjyqësor e prokurorial, po bëjnë çmos për të rrëzuar kryeministrin Kurti”, thuhet në analizë.
Çuditërisht, pohimet në fjalë nuk janë shoqëruar me asnjë dëshmi të vetme që do ta vërtetonte ‘komplotin’. Ato fshihen pas pohimit se “analistët besojnë që Albin Kurti ia doli të shkërmoqte një pjesë të ndjeshme të strukturave politiko-kriminale në Kosovë”.
Në të vërtetë, pikërisht gjatë mandatit të kryeministrit Kurti, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, i bërë publik në prill të vitit të kaluar, pati alarmuar se ka “korrupsion serioz qeveritar”. Duke iu referuar vitit 2023, raporti amerikan kishte vënë re se Prokuroria Speciale dhe Njësia e Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës kanë hapur hetime penale kundër së paku pesë ministrave dhe dy zëvendësministrave me akuza për vepra të lidhura me korrupsion.
Mehmeti në shkrimin e publikuar në Nacionale thekson më tej edhe një detaj më interesant në analizë që tregon edhe kush mund të jetë autori ose së paku njëri nga ta.
“Në tekstin e analizës, kryeministri Kurti lavdërohet deri në qiell se ka “potencialin dhe fuqinë politike për ta ruajtur unitetin brendashqiptar dhe t’i parandalojë ndasitë fetare mes shqiptarëve”.Mu këtu është pjesa më e çuditshme e analizës ku sugjerohet që shqiptarët duhet t’i kthehen zbatimit të së drejtës kanunore”, shkruan ai.
“Shqiptarët duhet t’i rikthehen të drejtës zakonore shqiptare (Kanunit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe Kanunit të Lekë Dukagjinit), e cila historikisht ka garantuar harmoni fetare dhe i ka adresuar çështjet e përkatësisë fetare mes shqiptarëve”, thuhet në këtë analizë.
Në kohën kur kërkesat e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar janë që të sigurohet sundim i rendit dhe ligjit, kjo është analiza e pare skandaloze që sugjeron rikthim të drejtësisë paralele, domethënë asaj kanunore.
“Kjo sikur e zbulon edhe njërin nga autorët e analizës i cili ka shumë të ngjarë të jetë dora vetë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Ide të tilla për rikthim të kanunit, Berishaj i ka shpalosur ngaherë. Ato gjenden të artikuluara te libri i tij “Zhbërja e kufirit etnik”, i cili ishte botuar më 2017 nga shtëpia botuese ‘Toena’ në Tiranë”.
“Në faqet e këtij libri ku moralizohet për kufij e shtetndërtim, ai e mburr kanunin që, sipas tij, do ta pamundësonte zbatimin e eskterritorialitetit të Kishës Ortodokse Serbe”.
“Po qe se klasa politike shqiptare do të kishte studiuar të drejtën zakonore shqiptare, do të përfillte nenin e parë të Kanunit të Lekë Dukagjinit (të kodifikuar nga Atë Shtjefën Gjeçovi), nuk do të ndodhte që sot, kisha serbe në Kosovë të thirret në eksterritorialitet të kishës ortodokse serbe, por tash edhe tokës kishtare (Metohisë!) brenda shtetit të Kosovës”, shkruante Berishaj në faqe 113 të këtij libri.
“Megjithëse vetë autori është profesor i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, ai e glorifikonte kanunin dhe përfshirjen e tij në politikëbërje, anipse kanunorja është negacion i shtetit. Po këtë libër, që tani është përfshirë në këtë analizë të IFIMES-it, Berishaj e kishte përuruar me 1 korrik 2017 në një hotel në Lubljanë, nën organizimin e po këtij instituti”.