Disa grupe të qytetarëve serbë në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut penguan të martën hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente, por pa pasoja në njerëz.
Në këto dy komuna, ashtu si edhe në Zveçan dhe Leposaviq – që të gjitha të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës – pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë, më 18 dhjetor.
Policia e Kosovës tha se “persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës”, duke përdorur “mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”.
Incidentet ndodhën derisa policia po i shoqëronte zyrtarët e KQZ-së drejt hapjes së komisioneve komunale zgjedhore.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “grupe të organizuara, me disa individë të maskuar” i sulmuan zyrtarët zgjedhorë dhe policët “me shok bomba dhe të shtëna në ajër”.
Ai tha se aktet që kanë qëllim pengimin e procesit zgjedhor, janë të papranueshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në veri do të ketë shtim të pranisë policore. Sipas tij, sulmet atje po kryhen nga “banda kriminale”, të cilat “paguhen dhe dirigjohen nga Serbia”.
Komunat në veri të Kosovës janë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit.
Ata dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.
Bazuar në Ligjin për zgjedhjet, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli më pas 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve atje.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar dhe ka udhëhequr komunat në veri – i kundërshton këto zgjedhje.
Radoniqi: Nuk mund t’i rrezikojmë zyrtarët zgjedhorë
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se incidentet e së martës në veri dëshmuan se qasja e KQZ-së në atë pjesë të Kosovës është e kufizuar.
Ai tha se pret të shohë raportin e sigurisë për procesin zgjedhor të Policisë së Kosovës, por shtoi se zgjedhjet “nuk mbahen me zor”.
“Sot kishim planifikuar të shikojmë t’i vizitojmë zyrat tona, për të parë se a kemi qasje. Çfarë është evidente nga raporti dhe nga çka u pa në media, duket se është pak problematike të kemi qasje në zyrat tona”, tha ai.
Radoniqi shtoi se raporti i policisë do t’i dërgohet edhe Zyrës së Presidentes, së bashku me kërkesat e KQZ-së për të ofruar siguri për zyrtarët zgjedhorë.
Nuk mund të rrezikojmë jetën e zyrtarëve zgjedhorë, tha ai.