Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi të premten se ka inspektuar resurset e ujit në zonën e fshatit Marec, pas shqetësimeve të ngritura ditëve të fundit lidhur me cilësinë e ujit.
Sipas njoftimit, gjatë inspektimit u identifikua se ky fshat furnizohet me ujë për pije nga disa burime natyrore dhe nga puse individuale.
Këto resurse thuhet janë të pambrojtura dhe si të tilla me potencial të madh të mundshëm të ndotjes.
“Në favor të kësaj flet edhe mostra e ujit e marrë në familjen Pacolli (furnizohet nga burimi natyror) e cila rezultoi me mungesë të klorit rezidual, me turbullirë të shtuar (mbi 20 NTU) dhe me ngjyrë të ujit të verdhë në të gjelbër”.
“Ky ujë si i tillë nuk është për pije dhe përbën rrezik potencial për shëndetin e banorëve. Po ashtu, edhe rezultati i analizës kimike ka mos përputhshmëri me standardet e paraparë sipas UA nr. 10/2021 ‘Cilësia e ujit për konsum nga njeriu’”, thuhet në komunikatën për media.
IKSHPK-ja tutje bëri të ditur se rezultatet bakteriologjike priten pas 48 orëve.
“Duke pasur parasysh rezultatet e analizave laboratorike dhe gjetjet në terren, IKSHPK në pajtim me përgjegjësitë e veta ligjore rekomandon autoritetet përgjegjëse – KK Prishtina dhe KRU “Prishtina” që secila prej tyre në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të ndërmarrin masa të nevojshme për zgjidhjen afatgjate të furnizimit me ujë të sigurtë për banorët e kësaj zone. Problemi bëhet edhe më madhor pasi që situatë e ngjashme është edhe në 21 fshatra tjera të kësaj zone”.
Me qëllim të mbrojtjes dhe avancimit të shëndetit të banorëve, IKSHPK tha se e sheh si nevojë imediate zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë për qytetarët e kësaj zone.
Deri në zgjedhjen afatgjate të problemit të furnizimit me ujë, IKSHPK rekomandoi banorët që burimet natyrore ekzistuese dhe puset individuale:
-të pastrohen mekanikisht nga mbeturinat,
– të mirëmbahet ( të sanohet kaptazha, rezervuari dhe gypi shpërndarës)
– dhe përfundimisht uji të dezinfektohet.