Tash e disa muaj, sektorë të ndryshëm në Kosovë kanë nisur të ankohen për mungesë të punëtorëve. Një gjë e tillë po vlerësohet se është theksuar kohëve të fundit dhe ndër shkaqet kryesore po radhitet paga jodinjitoze dhe mundësitë e punësimit jashtë shtetit. Për këtë të fundit ka interesim të dukshëm të qytetarëve. Për vizë pune, vetëm në Ambasadën e Gjermanisë gjatë muajit janar kanë aplikuar afro 50 mijë persona
“Në veçanti paga joserioze ka bërë që punëtorët të mos kenë një stabilitet në Kosovë dhe i vetmi orientim është që këtë fazë tranzitore ta kalojnë me këtë shumën çfarë u jepet por qëllimi kryesor është dalja jashtë”, ka thënë Azemi.
Ai ka përmendur disa sektorë që aktualisht janë në disavantazh me numër të punëtorëve, porse thotë që me mungesa të tilla po përballen edhe fusha të tjera të punës. Sipas asaj që i është raportuar në Sindikatë, Azemi ka deklaruar se në mungesë të punëtorëve, kompanitë po detyrohen të punësojnë persona të pakualifikuar.
“Mungesë të punëtorëve ka në secilin lëmë të caktuar duke u nisur nga gastronomia, nga ndërtimtaria dhe punëtorët e sigurimeve fizike. Vetë fakti kur një pjesë bukur e madhe e punëtorëve që punojnë në sigurim fizik e nuk kanë profesionalizëm dhe pronarët e kompanive janë të obliguar t’i marrin, e bën me dije që është haptazi që ne kemi mungesë të theksuar të fuqisë punëtore”, ka deklaruar ai.
Me mungesë të punëtorëve tash e një kohë po përballet edhe sektori i ndërtimit. Kryetari i Shoqatës së ndërtuesve, Faton Hoxha, thotë që ndonëse gjendja ende nuk është alarmante, në atë drejtim ai ka thënë se do të shkojnë shumë shpejt pas ofertave të shumta për punësim jashtë vendit.
“Në ndërtimtari momentalisht jemi në ekspansion, ka aq shumë punë që gjithmonë do të ketë mungesë të njerëzve. Edhe me këto lëvizjet e njerëzve që nuk janë vetëm në vendin tonë por në të gjithë Ballkanin, sipas të gjitha gjasave, do të përballemi me mungesën e tyre. Mirëpo, edhe ne duhet t’i shohim mundësitë që të marrim prej diku tjetër punëtorë nëse vjen deri tek ajo që më nuk ka kush të punojë në ndërtim”, ka thënë Hoxha.
Vetëm në muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti, për terminë për vizë pune në Ambasadën e Gjermanisë kanë aplikuar mbi 100 mijë persona. Për shkak të interesimit të madh për viza gjermane nga Ambasada kanë thënë se i kanë rritur dukshëm edhe kapacitetet e përpunimit të kërkesave për viza, porse edhe më tej kërkesa i tejkalon kapacitetet e tyre.
“Për procedurën e shortit në dhjetor të vitit 2021, Ambasada i ka pranuar 56.639 aplikime dhe në janar të vitit gjithsej 48.962 aplikime. Nga të gjitha regjistrimet, nga gjeneratori i rastësishëm i drejtuar në mënyrë kompjuterike në një procedurë të shortit janë përzgjedhur ata, të cilët e marrin një termin për aplikim në muajin e ardhshëm”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Gjermane.
Qytetarët gjithashtu interesim kanë shprehur edhe për punë në Kroaci. Por, në një përgjigje për KOHËN, nga Ambasada kroate në Prishtinë, kanë thënë se aktualisht nuk posedojnë statistika të detajuara për secilën kategori të vizave për të cilat është aplikuar, porse gjithsej gjatë vitit të kaluar 6221 kosovarë kanë aplikuar për viza kroate.
“Ju njoftojmë se për momentin nuk kemi statistika të detajuara për secilën kategori. Gjatë vitit 2020 aplikuan 4804 persona. Në vitin 2021, 6221 persona aplikuan për vizë kroate”, kanë thënë nga Ambasada e Kroacisë.
Në Kosovë, gjithashtu edhe Ambasada Sllovene lëshon viza pune, por ata kanë pohuar se nuk janë në gjendje t’i ofrojnë informacionet e kërkuara nga KOHA në lidhje me interesimin e qytetarëve për të punuar në Slloveni.