Njohësi i ekonomisë, Ilir Ibrahimi, vlerëson se ndikim më të madh në ekonominë tonë kanë pasur krizat e brendshme të cilat kanë dërguar një mesazh shumë negativ te investitorët e huaj potencial, te partnerët të cilët kanë partnerët e tyre në Kosovë dhe entitete të ndryshme të cilët e kanë parë Kosovën si një vatër krize buzë luftës.
“Këtë e kemi bërë ne, pra nuk është se këtë e kanë bërë krizat globale, këtë e kemi bërë ne me vendimet tona politike të cilat kanë dërguar një mesazh që veriu i Kosovës është para luftës”.
“Kemi parë intervista të ndryshme nga krerët e shtetit që vazhdimisht i kanë rrahur kësaj retorike se ‘Kosova gjendet në krizë, është e rrezikuar nga Serbia dhe jemi duke u bërë gati për një konflikt të mundshëm’, dhe këtë e kemi vërejtur edhe nga kontaktet që i kemi pasur edhe nga partnerë që janë në sferën e biznesit, mirëpo edhe individë”.
Ibrahimi shtoi se ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm te ata që kanë dashur ta vizitojnë Kosovën për të parë mundësitë e investimit, por edhe te vizitorë të thjeshtë.
“I kemi shkaktuar probleme vetes, sepse edhe ata që kanë dashur të vinë të bëjnë biznes në Kosovë, kanë hequr dorë nga një gjë e tillë, dhe këto numra që po i proklamon qeveria tani për këtë rritjen e ashtuquajtur ekonomike, edhe nëse e shohim atë raport, ai është i varur nga investimet kapitale”.
“Nëse e shohim që investimet kapitale janë në minimumin e tyre, edhe kjo rritje e parashikuar nga këto institucione financiare ndërkombëtare është e pamundur që të arrihet”, deklaroi ai në emisionin Rubikon në Klan Kosova.