Ish-anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kritikuar Qeverinë Kurti, me ç’rast thonë se shefi i ekzekutivit i ka braktisur kauzat me të cilat ka ardhur në pushtet.
Sipas tyre, Kurti ka qenë efikas më shumë në kapjen e institucioneve, ndërsa të kundërtën e mendojnë për premtime.
Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Afrim Kasolli, tha se me premtimet që ka bërë Kurti gjatë fushatës zgjedhore, ai është dukur se ka një shkop magjikë që do ti rregullojë të gjitha problemet me të cilat përballet Kosova, por sipas tij nuk kanë ndodhur ndryshimet sociale, politike e ekonomike siç kishte premtuar kryeministri Kurti.
Sipas tij tek kjo Qeveri e vetmja gjë është që nuk ka ndonjë aferë të madhe korruptive që i ka karakterizuar qeveritë e kaluara.
“Edhe fushatën elektorale para zgjedhjeve të 14 shkurtit e ka karakterizuar një fushatë me premtime më një gjuhë që kjo qeveri me një shkop magjik do t’i zgjidhë të gjitha problemet edhe anomalit që e karakterizojnë Kosovën. Por pas konstituimit të saj dhe punës se saj nuk kemi parë ndryshime të rëndësishme, përjashto ndoshta që nuk ka ndonjë aferë të madhe korruptive që i karakterizonte qeveritë e kaluara, po ashtu ndryshimet tjera sociale, politike dhe ekonomike nuk kanë ndodhur”, tha ai.
Kasolli tha se shumë premtime që Kurti ka bërë nuk i ka mbajtur. Premtim i vetëm sipas tij është ndërtimi i urës së Saradranit.
Ai po ashtu shtoi Kosova ka më pak sovranitet në veriun e saj se sa ka pasur para se ta merrte pushtetin Qeveria Kurti.
“Kemi pasur premtimet e tij për shuarjen e AKP-së, nuk ka ndodhur asgjë, premtimi e tij për ndërtimin e banesave sociale për çiftet e reja, nuk ka asgjë, i vetmi investim kapital i cili mund të thuhet i kësaj Qeverie është vetëm ura e Saradranit dhe nuk vërehet as ndonjë gjë tjetër. Po ashtu këtë Qeveri e ka karakterizuar një inkompetencë e madhe për ta menaxhuar inflacionin, ka vazhduar trendi i ikjes së të rinjve, premtimet e saj se do ta vendos sovranitetin në tërë territorin e Kosovës kanë përfunduar në të kundërtën e këtij premtimi, mund të themi se në dekadën e fundit Kosova ka më pak sovranitet në veri se sa ka pasur para se ta merrte pushtetin kjo Qeveri. Janë vazhduar disa praktika të qeverive të kaluara siç janë nepotizmi, familjarizim, punësimet politike, partiake”, tha ai.
Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Zgjim Hyseni, i cili më herët ka qenë anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, tha se VV-ja i ka braktisur kauzat ende pa ardhur në pushtet.
Hyseni tha se shumë premtime të bëra nuk janë realizuar, sipas tij Qeveria as nuk ka filluar të bëjë ndonjë gjë.
“Vetëvendosja i ka braktisur kauzat ende pa ardhur në pushtet. Këta as nuk kanë filluar të bëjnë ndonjë gjë, kanë kaluar 2 vite dhe nëse e sheh bilancin e Qeverisë jashtëzakonisht vëren mungesë pune, mungesë dhe ndryshim të madh sa i përket qëndrimeve. VV-ja është zotuar se do t’i ndërtojë 160 çerdhe, deri tash janë 6 çerdhe të buxhetuara. Të buxhetuara nuk kanë nisur, nuk është pre shirit i as një çerdhe ende. Janë premtuar 4000 banesa për çifte të reja, sot që kanë kaluar 2 vjet nuk ka as gurthemel. Me këtë dinamikë ne do ta shohim Kosovën duke vendnumëruar. Është premtuar pesëfishim të numrit të inspektorëve të punës. Është përmend programe për moshat e shtuara, asnjë nuk është bërë deri sot”, tha ai.
Sipas Hysenit, VV-ja ka qenë efikase në punën e kapjes së institucioneve veçanërisht ne kapjen e institucioneve të drejtësisë.
Ai akuzoi Qeverinë që në emër të luftimit të korrupsionit, po mundohet ta fusë nën kontroll Këshillin Prokurorial. “Ka qenë efikase, madje tejet efikase në punën e kapjes së institucioneve veçanërisht në kapjen e institucioneve të drejtësisë. Ata kanë qenë efikas për me kontrollu që në emër të luftimit të korrupsionit që të fusin në kontroll Këshillin Prokurorial. Kanë qenë efikase në sulme direkte edhe tendencave për m’i frikësu e shantazhu institucionet e drejtësisë duke komentuar vendimet gjyqësore. Ka qenë efikase në zgjedhjen edhe në kapjen e bordeve të ndërmarrjeve publike. E fundit është kapja e RTK-së”, tha ai.