Gëzim Gjini, një burrë në moshë nga Gjakova, humbi djalin e vetëm të tij, Skofiar Gjinin, 33-vjeç, në një aksident trafiku në Gjakovë të enjten.
Skofiar Gjini vdiq pas një aksidenti që ndodhi mes një veture dhe një autoambulance.
Babai i tij, në një shkrim në Facebook të premten, ka bërë thirrje që Ligji ose Kanuni të dënojë shkaktarin e vdekjes së djalit të tij.
“Pse na ike kështu, pse i la Babë e Nonë, Grua dhe dy Vajza!? Përfundoj jeta për Ty por edhe për Ne si Prindër! Shkove në orar pune të shpëtosh jetë, e humbe jetën tënde! Këtë shkaktar vdekjeje, lë ta dënoj Ligji ose do ta dënoj Kanuni! Skofiar të emërova me emër, Skofiar ishe në jetë!”, ka shkruar Gjini.
Ai ka njoftuar se varrimi do të bëhet sot në orën 19:00, në varrezat e reja në Gjakovë.
33-vjeçari ishte punonjës i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.