I entuziazmuar pas fitores në zgjedhjet e 9 shkurtit, Albin Kurti në orën e parë pas mesnatës nuk kurseu gjuhë fyese ndaj atëherë partive opozitare.
Ai kishte deklaruar “çfarë hajvanash” dhe se “ka kaluar koha e hajvanatit” kur kishte përqeshur programin dhe fushatën e partive të tjera kundërshtare në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Këto fyerje i kishte bërë kur nuk dihej qartë përqindja e votave që kishte marrë Lëvizja Vetëvendosje. Atë natë, Kurti harroi se politika ka të bëjë edhe me marrëveshje. Që prej asaj nate, fjala “hajvan” iu kthye si përndjekje, të cilës assesi nuk po i shmanget.
Ishte kjo një fjali e mbushur me përçmim, e artikuluar publikisht për të denigruar kundërshtarët politikë, në një moment kur vendi priste fjalë bashkimi dhe maturie. Kurti e dinte se nuk kishte fituar 500 mijë vota që synonte, ama ishte shprehur i bindur se do ta formonte vetë qeverinë.
Kjo deklaratë, e papërmbajtur dhe fyese, nxori në pah një qasje agresive ndaj opozitës – jo si kundërshtarë politikë, por si objekt talljeje dhe përuljeje. E ndërsa shumë qytetarë dhe analistë kërkonin përgjegjësi për këtë gjuhë të papërshtatshme nga një kryeministër, vetëm pak javë më vonë, Albin Kurti krejt papritur ndërron tonin.
Në një letër zyrtare drejtuar kryetarëve PDK-së dhe LDK-së, Memli Krasniqit dhe Lumir Abdixhikut, në përpjekje për të siguruar votat për kryetar Kuvendi, ata nga “hajvanë”, krejt papritur u shndërruan në “të nderuar” e me fjali dashamirëse: “Shpresoj që jeni mirë me shëndet dhe punët po ju ecën për së mbari.”
Dhe në fund të letrës, ai e mbyll me një frazë tipike diplomatike: “Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes.”
Kjo kthesë e papritur nga agresiviteti në lutje nuk është thjesht reflektim i pjekurisë politike – është tregues i oportunizmit të pastër. Kur i duhej të festonte fitoren, opozita ishte “hajvane”; kur i duheshin votat e saj për të zhbllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit, ata që para pak muajve i quajti “hajvan” pa pritur po i duhen për të zgjidhur ngërçe.
Mirëpo gjuhës së butë nuk ka rënë pre LDK-ja, e cila ka reaguar menjëherë duke refuzuar takimin me Kurtin.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do t’i shkojë Albin Kurtit, kryeministrit në detyrë, në takimin e thirrur për të biseduar për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Këtë e bëri të ditur Besian Mustafa, zëdhënës për media në LDK.
Ai është shprehur se ftesën tashmë e kanë pranuar dhe se kryetari i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, për momentin nuk është në Kosovë.
“Ka ftesë. Nuk marrim pjesë në takim, njëkohësisht kryetari Abdixhiku nuk është në Kosovë”, ka thënë Mustafa për Klan Kosovën.