Një rrëfim të jashtëzakonshëm për plagosjen në luftë, në kuadër të ciklit “Plaga për Lirinë” në lajmi.net e ka dhënë ish-ushtari i UÇK-së, Fisnik Berisha.
Berisha, që UÇK-së i ishte bashkuar në moshën 15-vjeçare ka treguar për motivet që e shtynë t’i bashkohet luftës në një moshë kaq të re, shkruan lajmi.net.
Fisnik Berisha, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zona e Pashtrikut, Brigada 125. Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu kam bashkangjit në një moshë shumë të re, në moshën 15 vjeçare. Motivi i kyçjes në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës u kanë shtypja e pushtimit serb. Jemi kanë të detyrum t’i bashkëngjitemi Ushtrisë Çlirimtare, ta kryjmë obligimin, edhe si moshë e re, si fëmijë. Jam i plagum në Zonën Operative të Nerodimes, Brigadën 161 në fshatin Mollopolc, tek Lagja e Rrënojve”, rrëfen Berisha.
Berisha rrëfen edhe momentet dramatike kur ishte plagosur.
“Plagosjen e kemi marrë më 7 maj 1999. Strategjia e serbëve ishte granatimi, pas ndaljes së granatimeve, do të thotë pikave ku ishim, strategjia e tyre ishte prapa, prapavijën duke e granatuar. Atë moment kur e dijshim që granatimi u ndalke prej pozicioneve ku ishim të rreshtum na, edhe granatimi shkojke prapa shpinës tonë, e dishim që forcat serbe e nisnin ofensivën në mënyrë këmbësore. Ishim duke vëzhguar me Fehmiun ardhjen e forcave serbe, dhe në moment na bije një granatë, do të thotë një gjyle e tenkës dhe nga shpërthimi i gjylës mbesim të plagum unë dhe Fehmiu”, rrëfen ai.
“Dalim nga istikamet, ishim në shtëpi, bodrumin e shtëpisë e shfrytëzojshim si bunker. Mbasi e marrim na qat goditjen nga predha e gjyles së tenkes, mbesim të lëndum unë dhe Fehmiu edhe na mlojnë rrënojat e bllokave, shtëpisë. Atëherë kyçen shokët, bashkëluftëtarët tanë, do të thotë dalin të na marrin neve nga shtëpia. Duke na nxjerrur prej shtëpisë, atëherë ballafaqohen, bijnë në luftim direkt në luftim drejtpërdrejt me forcat serbe, me ushtarë. Ngelin diku pranim derisa na nxjerrën nga rrënojat e shtëpisë, diku gjysmë ore a ma tepër veç bëjnë punë duke luftuar për jetë a vdekje për të mos na lënë neve të në marrin”, rrëfen tutje Berisha.
Ai tregon edhe në çfarë kushtesh të rënda kishte marrë ndihmën mjekësore.
“Masi na nxjerrën na japin ndihmën e parë, dhe nga fshati Mollopolc, na drejtojnë në ambulancën e UÇK-së në Petrovë dhe na japin ndihmën e parë, doktor Vezir Bajrami dhe motra Lide me të gjithë stafin mjekësor. Mjekimin bazë, disa ditor e marrim në Shpellë të Topillës, në vend se të strehohemi dhe mjekimin të marrim nëpër spitale, ne mjekimin bazë e marrim në Shpelle të Topillës. Normal, jemi kanë me vetëdijë edhe unë edhe Fehmiu”, rrëfen Berisha.
Madje, Berisha rrëfen se aq të rënda ishin plagët, saqë i kishte edhe zorrët jashtë.
“Plagët kanë qenë të mëdhaja, unë kam pasë edhe anënë e majtë, zorrët jashtë i kam pasë. Nehat Basha ma jep ndihmën e parë, komandanti Nehat Basha, ma fashon varrën. Kur e dijshim qëllimin pse e kemi marrë lëndimin, ishte thuajse e thjeshtë dhe e pranueshme lëndimi trupor. Me vetëdije të plotë kemi shku dhe e kemi marrë një rrugë ndoshta edhe pa kthim, duke e ditur se qëllimi ishte liria”, rrëfen ai.
“Kur e dijshim qëllimin pse e kemi marrë lëndimin, ishte thuajse e thjeshtë dhe e pranueshme lëndimi trupor. Dëshira jem u kanë edhe ma tepër të bëjmë për lirinë që sot e gëzojmë, por mundësitë edhe rrethanat janë kanë që sot të paktën mos mujshit me na nderu me atë forcë dhe ato mundësi qa i keni, të paktën mos na përbuzni dhe mos na injoroni”, rrëfen Berisha. /Lajmi.net/