Zjarri i shkaktuar nga shpërthimi i fuqishëm që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fabrikën kimike Melamin në qendër të Kočevje në Slloveni, është shuar gjatë paradites.
Por sipas të dhënave të fundit nga Administrata e Mbrojtjes dhe Shpëtimit, mbi 20 persona kanë mbetur të lënduar, një person ka marrë djegie të rënda, dhe disa figurojnë si të zhdukur.
Ndërkohë, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, vendasit e frikësuar thonë se në fillim menduan se shpërthimi ishte një sulm me bombë dhe madje Qendra Mjekësore Universitare e Lubjanës aktivizoi një plan për një katastrofë masive.
Shpërthimi ka qenë aq i fortë sa që përveç objektit në kompleksin e godinës, i cili është dëmtuar rëndë, janë thyer edhe xhama të shumtë të objekteve përreth.
“Kemi gjendje të jashtëzakonshme. Një shpërthim i fortë tronditi gjithë Koçevjen”, citohet të ketë thënë një vendase.
Ndërsa drejtoresha e bibliotekës lokale tha se ajo kurrë nuk kishte ndjerë diçka kaq të fortë – në fillim menduan se ishte një tërmet.
“I gjithë trupi më dridhej, veshët më ushtonin. Disa punëtorë ishin aq të frikësuar sa filluan të qajnë”, ka rrëfyer ajo.