Një person ka kërkuar ndihmë mjekësore dje si pasojë e një sulmi fizik me të cilin u përball te Tregu i Gjelbër në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 43-vjeçari dyshohet se është sulmuar nga dy persona të cilët janë babë e bir.
Njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.
Por si ndodhi e gjithë ngjarja?
43-vjeçari kishte pranuar një telefonatë nga 26-vjeçari, i cili i kishte bërë me dije se është duke kërkuar punëtorë dhe ka një ofertë pune për të. Pasi janë takuar në vendin që e kishin lënë, 26-vjeçari bashkë me babain e tij, dyshohet se e kanë futur viktimën brenda veturës dhe e kanë keqtrajtuar.
Bazuar në dëshminë e viktimës dhënë organeve të hetuesisë, të cilën Sinjali e ka siguruar nga burimet e veta, të dyshuarit e kanë pyetur viktimën për një sasi vaji të cilin gjoja ky e kishte vjedhur. Të njëjtin e kanë kërcënuar se s’do e lënë të dalë i gjallë nga vetura dhe do ta dërgojnë në fshat ku do ta lidhin e do ta rrahin.
Që aty kanë vazhduar për në një lokacion tjetër, ku më pas 52-vjeçari dyshohet se ka sulmuar fizikisht viktimën, duke e goditur me shuplaka.
Pasi është liruar nga të dyshuarit, 43-vjeçari ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer gjithë ngjarjen se si ka ndodhur.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari A.G., 52-vjeç, është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm’.