Sfida e parë e qeverisjes Muharremaj II, është zgjedhja e Kryesuesit të Kuvendit Komunal.
Në bazë të nenit 41 të ligjit Nr.03/L-040 për vetëqeverisje lokale, Kuvendi i Komunës e zgjedh Kryesuesin e Kuvendit të Komunës nga radhët e anëtarëve për një mandat aq sa është mandati i të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Për t’u zgjedhur në votimin e parë, kandidati i propozuar për kryesues të Kuvendit Komunal duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të zgjedhur. Në rast se në votimin e parë asnjëri prej kandidatëve nuk e siguron shumicën e kërkuar, atëherë dy kandidatët me numrin më të madh të votave shkojnë në votimin e dytë. Kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të zgjedhur do të zgjidhet Kryesues i Kuvendit të Komunës.
Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 17 tetor ndarja e ulëseve në Suharekë është kjo: AAK ka 12 ulëse, LDK ka 9, PDK ka 4, VV ka 4, Nisma 1 dhe Iniciativa Qytetare 1.
Burime të Metros bëjnë me dije që aktualisht Bali Muharremaj ka siguruar vetëm votat e Nismës dhe Iniciativës Qytetare, derisa i duhen së paku edhe tri vota për ta zgjedhur kryesuesin e Kuvendit Komunal.
Gjithashtu burime të Metros brenda PDK’së në Suharekë, kanë thënë se PDK i ka ofruar bashkëpunim Muharremajt, por ky i fundit nuk ka pranuar pasi që nuk dëshiron që të japë ndonjë drejtori.
Sipas raportimeve të mediave lokale atje nga radhët e AAK’së është propozuar që Behxhet Kuqi të etë kryesues i Kuvendit Komunal, por ende nuk është e qartë se a është arritur ndonjë bashkëpunim apo koalicion me ndonjërin subjekt tjetër në mënyrë që t’i sigurohen votat e mjaftueshme kryesuesit të deritashmë që të qëndrojë në krye të këtij organi edhe për një mandat.