Radosh Petroviq, i cili u arrestua më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës, gjatë përleshjes ndërmjet serbëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it, është liruar për t’u mbrojtur në liri.
Këtë e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL) familjarët e tij, duke thënë se është paguar garancia.
Petroviq akuzohet nga Prokuroria e Kosovës se ka kryer veprat penale “bashkim për veprime kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit mbi rendin kushtetues të Kosovës, rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare” dhe për “sulm ndaj zyrtarëve”.
Në ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka konfirmuar se Petroviq është liruar nga paraburgimi.
“Drejtësia fitoi, Radosh Petroviq është lënë në liri! Pse u paraburgos 26 ditë kur të gjithë e dinë se ai nuk ishte fajtor dhe për këtë ka prova?”, ka shkruar Petkoviq në llogarinë e tij në Twitter.
Ai shtoi se të gjithë serbët e arrestuar “duhet të lirohen”.
Shefi i diplomacisë së BE’së Joseb Borrell të enjten kishte hedhur dyshime për keqtrajtimin e të arrestuarve serbë nga autoritetet e Kosovës, duke shtuar se misioni civil i BE’së, EULEX, do të përfshihet në hetim të këtyre akuzave.
Këto akuza i kishte shtruar presidenti serb Aleksandar Vucic duke pretenduar se i arrestuari në të njejtën ditë me Rados Petrovic, Dusan Ovbrenovic ishte rrahur brutalisht dhe për këtë arsye nuk po lirohet nga paraburgimi.
Borrell të premten vazhdoi me një tjetër pretendim se autoritetet kosovare kanë shmangur procedurat ligjore duke i quajtur jashtëgjyqësore arrestimet e serbëve në veri pa e cekur se për cilat raste.
Të premten është arrestuar edhe një serb në veri i dyshuar për sulme ndaj KFOR gjatë trazirave