Ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes i akuzuari për krime lufte, Dragisha Milenkoviq, i cili tha se kur kishte ardhur radha e mbrojtjes dhe të propozojë dëshmitarë, kishte menduar të propozojë kryeministrin Kurti, pasi ky i fundit ishte i burgosur në burgun e Prishtinës.
“Se e kam kërkuar që edhe kryeministri Kurtin, që si qytetar sipas dëshmisë të japë deklaratën, por para 20 muajsh prokurori ka premtuar se do e dëgjojmë. Nuk më ka interesuar si Kryeministër, por më është kujtuar si emër, si qytetar që ka qenë në burg. Është pranuar në ndërrimin tim, ja kam dhënë sapunin dhe shamponin kur ka ardhur,” tha Milenkoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, Milenkoviq tha se nuk është e vërtetë se ka torturuar romë, pasi vetë ka jetuar në lagje me ta dhe se të njëjtit i ka pasur fqinjë.
Po ashtu, Milenkoviq tha se nuk është e vërtetë se ka rrahur ndonjë serb (nuk i përmend emrin), pasi nuk ka lidhje me ngjarjen që pretendohet të ketë rrahur një serb dhe se i njëjti person ka pasur probleme me vëllain e tij, por jo me atë personalisht.
Milenkoviq tha se ka hequr dorë nga propozimi për t’u dëgjuar dëshmitar, pasi që të njëjtit janë të punësuar nëpër institucionet shtetërore në Kosovë dhe se të njëjtëve mund t’u krijohen probleme.
Ai mohoi se kishin formuar kordon si gardian gjatë transferimit nga burgu i Lipjanit në atë të Dubravës dhe anasjelltas.
Milenkoviq sqaroi se kishte pasur katër shefa të ndërrimeve dhe se disa nga ta ishin shqiptarë dhe është e çuditshme se përse ai është i akuzuar, ndërsa shefat e tij, kur dihet se të njëjtit kanë udhëhequr me punët dhe veprimet brenda për brenda burgut, nuk janë akuzuar.
Aktakuza e ngritur më 26 dhjetor 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Dragisha Milenkoviqin se në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në bashkëkryerje në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë.
Më 10 janar 2024, në seancën fillestare Milenkoviq ishte deklaruar i pafajshëm për krime lufte, ndërsa kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.