Ish-anëtari i ekipit negociator të Kosovës, Skënder Hyseni, ka komentuar deklaratën e Kurtit se “po të ishte kryeministër më 2011, Kosova do të ishte shumë më ndryshe”.
Hyseni tha fillimisht se nuk ia vlen të shikohet mbrapa dhe të komentohet historia, por po të ishte Kurti kryeministër më 2006 e 2007, Kosova nuk do të ishte e pavarur.
“Kurtin askush nuk po e detyron ta pranojë Asociacionin. Por të paktën të tregojë një burrni, e të dalë e të thotë se nuk do ta bëjë atë. Por ai e pranoi marrëveshjen”, tha ai.
“Tash sa i përket asaj që tha Kurti se po të ishte kryeministër para 10 viteve, nuk do të kishte fare Asociacioni. Unë them se po të ishte Albin Kurti atëherë kryeministër, nuk do të bëhej pavarësia kurrë. Po të ishte Albin Kurti kryeministër më 2006-2007”, tha ai në emisionin Pressing në T7.
Tutje ai shtoi se marrëveshja e Asociacionit nuk guxon të preket.
“Tash nuk mund të qëndrojmë në të kaluarën. Unë për vete nuk e kam përkrahur Asociacionin. Kam qenë kundër fusnotës. Në vend se të dalë të thotë se do të mundohem të bëjë diçka për të mirë të vendit, ai po thotë se do të bëjë përsëri truqe e në fund t’ia lë dikujt tjetër, një kryeministri tjetër të thotë dicka, e kështu të humbasë edhe 10 vjet. Dikush mund të dëgjojë e të thotë se në studio jemi pro Asociacionit. Nuk jemi, por nuk ka zgjidhje. Nuk guxon të preket marrëveshja e vitit 2013 e Asociacionit. Nuk bën të hapet ajo. Po u hap, nuk dihet çfarë del më duke marrë parasysh edhe situatën gjeopolitike”, shtoi Hyseni.