Shefki Hyseni, i cili pretendon se është viktimë e fajdeve në Kosovë, ka rrëfyer se për shkak të rreziqeve, kërcënimeve e shantazheve të fajdexhinjve, e ka lënë Kosovën për Spanjën.
Hyseni në Dukagjini, ka thënë se i ka denoncuar krimet vazhdimisht, por sipas tij, kërcënimet kanë vazhduar.
Ai, po ashtu, i ka akuzuar disa policë të Mitrovicës se kanë bashkëpunuar me njerëz që merren me fajde, madje sipas tij, ata i kanë fshehur krimet e tyre.
“Kam pasur kërcënime, më 8 maj më ka kërcënuar një familjar i tij se do të më vrasin mua e familjen. I kam denoncuar këto kërcënime pas një sulmi me armë në shtëpinë time. Nuk jam i irrituar me fajdexhinjtë, sa jam i irrituar nga një grup i policëve në Mitrovicë dhe në Drejtorinë Rajonale në Mitrovicë, ata kanë dalë në krah të fajdexhinjve. Nuk e kanë trajtuar, por i kanë fshehur disa raste, derisa Prokuroria ka ngritur për njërin pesë vepra penale, ai është i lirë”, ka thënë ai
Ai ka treguar se nga fajdexhinjtë i kishte marrë 7 mijë e 500 euro, kurse pas një kohe ata ia kishin kërkuar mbi 300 mijë euro.
“Unë këto para nuk i kam marrë, më janë kërkuar mua për një të ndjerë dhe ka pasur presion të hatashëm nga 7 mijë e 500 euro në mbi 100 mijë euro dhe 360 mijë euro më janë kërkuar. S’kam pasur mundësi t’i rezistoj atij presioni. Më kanë përcjellë në qytet, policia më thonin se s’kanë të bëjë me ty. E paraqitja rastin në polici, ishte e kotë. Fajdexhinjtë janë më të fortë se shteti në Kosovë”, tha ai.