Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka prezantuar planin e Rimëkëmbjes sot para qytetarëve të Skënderajt.
Nga atje, Hoxhaj tha se PDK është e vetmja parti politike që ka program dhe vizion për ta rimëkëmbur vendin, gjë që është dëshmia më e mirë se PDK do të dalë fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Hoxhaj tha se Drenica i ka dhënë Kosovës dy projekte kombëtare të mëdha, UÇK-në dhe PDK-në.
Fitorja për neve është e natyrshme, a e dini pse, se Drenica i ka dhënë Kosovës dy projekte të mëdha, dy projekte kombëtare, një projekt të madh ia ka dhënë UÇK-në dhe një projekt të dytë të madh kombëtar ia ka dhënë PDK-në. Ju e dini që këto dy projekte kombëtare lidhen me dy emra, me Hashim Thaçin dhe me Kadri Veselin”, tha ai.
Hoxhaj në Skenderaj tha se kush është UÇK e voton PDK-në, e për këtë ai tha se kjo parti do të arrijë të dalë e para.
“Meqë kohët e fundit po bëjnë shumë sondazhe, sondazhe të cilat blehen dhe të cilat shiten dhe meqë jemi në një tubim të tillë madhështor këtu në Skënderaj unë po ju pyes juve dhe po e bëjmë një sondazh, kush do të fitojë?. Prandaj, ata të cilët kohët e fundit janë bërë mashtrues me certifikata, që manipulojnë sondazhe, që manipulojnë opinionin publik, ne duhet t’iu themi me 14 shkurt jo, fitorja është e jona, fitorja është e PDK-së. Mos ta leni që dikush ta përqajë Drenicën se kush është UÇK vota shkon për PDK-në”, tha Hoxhaj.
Ndërsa, kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka pasur një porosi për ata, që po i gëzohen burgosjes së çlirimtarëve.
“Janë disa liderë politik që i gëzohen burgosjeve të clirimtarëve të Kosovës, por unë mendoj që e kanë gabim shumë dhe ne ju themi atyre sot nga këtu, nga Drenica që unë dhe PDK do të dalim të parët me çdo kusht. Ata që i janë gëzuar burgosjes së çlirimtarëve nuk kanë vend në Drenicë, nuk ka vota në Drenicë. Ata që vijnë në Drenicë dhe e blindojnë me polici dhe njësi speciale të Kosovës nuk kanë vend në Drenicë, nuk ka vota për ta në Drenicë”, tha ai.
Hoxhaj gjatë ditës ka takuar qytetarët dhe ka prezantuar planin e Rimëkëmbjes edhe në Mitrovicë dhe në Vushtrri.