Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, njëherësh deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se Kosova nuk do të arrijë një marrëveshje të ndërsjellë me Serbinë derisa Kurti nuk është i interesuar për dialog serioz dhe as për marrëveshje.
Hoxhaj nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, ka thënë se vizita e sotme dhe mbështetja amerikane janë parakushte për të bërë një kthesë rrënjësore drejt një marrëveshjeje të domosdoshme për njohje të ndërsjellë.
Por, ai ka shtuar se një mbështetje e tillë është vendimtare meqë Serbia ishte dhe është kundër një marrëveshjeje për njohje të ndërsjellë.
“Kosova nuk do të arrijë këtë marrëveshje, për sa kohë që z.Kurti nuk është i interesuar as për dialog serioz dhe as për marrëveshje, por është vetëm i interesuar për një simulim të “dialogut” gjatë vitit 2023 sikurse ishte vitin e kaluar!”, ka shkruar tutje Hoxhaj.