Ambasadori amerikan në Prishtinë Jefferey Hovenier, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri më i ngushtë i Kosovës dhe përkushtimi i popullit amerikan ndaj vetë Kosovës dhe popullit të Kosovës mbetet po aq i qëndrueshëm si gjithmonë.
Hovenier thotë se kanë kërkuar nga qeveria e Kosovës që të ndërmarrë disa veprime specifike për të ndihmuar në zbutjen e situatës atje, për të ndihmuar që të ecim përpara për të mirën e Kosovës dhe stabilitetit rajonal.
Por sipas amerikanit kryesor në Prishtinë, SHBA-ja është e shqetësuar pasi Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur pozitivisht ndaj këtyre kërkesave, ka deklaruar ai për Klan Kosova.
Duke mos hyrë në specifika, Hovenier tha se është e qartë se do të ketë disa pasoja tjera nëse vazhdohet kjo rrugë ku Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të të gjithë miqve të saj nga të gjitha vendet që kanë treguar përgjatë më shumë se një apo dy dekadave përkushtimin të SHBA-ve për të parë Kosovën duke e marrë vendin e saj në Evropë dhe brenda strukturave evropiane dhe euroatlantike.