Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti ka paralajmëruar se të tre projektligjet që janë në agjendë për nesër, do të rrëzohen nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas tij edhe Projektligji për KPK-në edhe ai për KPM-në e për Zyrtarë Publik, kanë qëllim që të fusin në kontroll pushtetet e ndara kushtetuese, por që do të zhbëhen nga Gjykata Kushtetuese.
E plotë:
Tri projektligje, të cilat nesër janë në agjendë të Kuvendit, janë qartësisht antikushtetuese:
1. Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës,
2. Projektligji për Zyrtarët Publik dhe
3. Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave.
Dy nga këto ligje njëherë janë shpallur në kundërshtim me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Pavarësisht aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe vërejtjeve nga BE-ja dhe organizata të tjera të rëndësishme ku Kosova tenton të anëtarësohet, Qeveria dhe shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës po i shtyjnë përpara këto nisma ligjore antikushtetuese.
Qëllimet e tyre janë malicioze:
– futja nën kontroll e pushteteve të ndara kushtetuese,
– shkarkimi i zyrtarëve publik, shumë prej të cilëve me përvojë sipas sistemit të karrierës bazuar në standardet evropiane të ndërtimit të shërbimit civil të pavarur,
– shtrimi i ndikimit në media, të cilat po i rezistojnë presionit të qeverisë, e cila përveç se karakterizohet me ‘demokraci elektorale’, asnjë veti të qeverisjes demokratike nuk e ka treguar në këto katër vite.
Asnjë nga këto nisma nuk do të arrijë të hyjë në fuqi. Të gjitha do të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese. Çdo njohës mesatar i Kushtetutës së Kosovës e ka të qartë epilogun e këtyre nismave ligjore.