Shkruan ,Agron Hoti
Si bëheshin fejesat me Mësit tyneherë? (kthim në kohë)
Të arrije tyneherë ta fejoje djalin apo vajzën ishte aq e vështirë sikur të haje çelik me dhëmbë. Vlen të përmendet se vështirësia më e madhe në ato kohëra rëndonte mbi familjen e djalit, e cila duhej ta çejzonte nusen (t’i financonte arin, bizhuterinë, veshëmbathjen, etj) dhe të financonte tërë dasmën, jo rrallë edhe vetë kanagjegjin e vajzës. Financimi i kanagjegjit me parat e mikut që silleshin për çejzim paje, një pjesë të tyre “i currte” (i merrte) në mënyrë të përsosur familja e vajzës. Kjo në atë kohë quhej lahperllëk prej miku, ndërkohë që “currësi” i lekëve vepronte sipas motos “ku rafsha mos u vrafsha”.
Fejesa dhe dasma kishin aq kosto të lartë tyneherë, saqë kjo shumë shpesh i varfëronte familjet në aspektin ekonomik. Me pak fjalë, një nuse e tynershit, përpos që ishte shumë e vështirë për t’u gjetur, ishte shumë e shtrenjtë në aspektin financiar. Vështirësia e gjetjes së një nuseje tyneherë përmendej nga Qumili (Sedvai Radogoshi) në një humor të mëhershëm të tij derisa i pati ndarë dy djem kinse po fjaloseshin për një femër, ku më pas ata djemtë e pyesin: “Baca Qumil, a edhe ju për femra jeni përlarë (fjalosur) a? Po, ku ka pasë mar bac femra tyneherë” ia kthen Qumili. Nëse djali martohej dimrit, familja e tij dilte vishkull në pranverë, veç kripa në tuzlluk i gjendej (pra zibidi) apo thënë më mirë ting-tangall (zero cent në xhep), ishin këto pra disa nga ato shprehjet e asaj kohe që përshkruanin familjen pa lekë.
Parimi i kohës ishte që fejesa e djalit apo vajzës duhej të bëhej me rend (me rend me gjyshen, me rend…) që nga më i/e madhi/ja e deri te më i/e vogli/a. Ky rregull s’guxonte të shkelej, sepse bëheshe “hora e zotit” (shembull i keq). Rregulli ishte se edhe nuk bënte pa u martuar. Ata djelë (djemë) apo vajza që potencialisht vonoheshin apo në rastin më të keq mbeteshin pa u fejuar dhe rrjedhimisht pa u martuar, shiheshin nga mjedisi rrethues me një sy ca përçmues dhe pse jo dyshues, sepse mendohej që diç s’ishte në rregull me ta në aspektin psiqik, fizik apo biologjik, bile të tillët djemë mund të konsideroheshin ‘nesposobana’ (shkokla apo shkokërdhana) siç në gjuhën popullore përdorej shprehja e pushtuesit.
Por, a e pyeste kush djalin apo vajzën për fejesë?
Ajo çfarë ishte e sigurtë tyneherë, ishte fakti se si djali ashtu edhe vajza i/e piketuar për fejesë s’pyeteshin fare nëse donin apo jo të fejoheshin. Fejesa ishte ekskluzivisht punë e zotërve të shtëpisë apo siç e thoshte edhe Adem Mikullovci në komedinë e pasluftës “Mahmutovitët e Rexhepovitët” derisa e luante rolin e Ahmetit të Rexhepovite (të zotit të shtëpisë) se “kjo (fejesa v.i.) s’është punë për djalin, kjo është punë për mua”. Thjeshtë ishin të zotët e shtëpisë ata, që duhej të kujdeseshin për t’ua siguruar djemve të tyre nga “një rob” (siç quhej nusja tyneherë). Ndërkohë që djalit dhe vajzës s’u mbetej tjetër, përpos “mprehjes së brisqëve” për natën “e madhe”.
Në popull, s’thuhej “a i ke gjetur nuse djalit, por a i ke gjetur ende rob djalit a jo”? “Gjeja robin (nusen) djalit se t’u paska bërë për martesë” – thuhej tyneherë. Në secilin variant nusja ishte robi. Por, në raport me të zotin e shtëpisë robër quheshin edhe të gjithë anëtarët e familjes. S’thuhej sa anëtarë, por sa rob shtëpie kishe? Pastaj, shpesh thuhej nga familjet e asaj kohe se “filanit apo fistekut i ishin bërë djemtë si tareq apo vajzat si devojka nëse jo edhe pela” që nënkuptonte se ishin bërë për fejesë e martesë. Këto shprehje pezhorative për djem e vajza thuheshin haptazi dhe për fat të keq as që i bënte kujt për një gjuhë të tillë.
Fejesa ishte barrë edhe për familjen, sepse në mjedisin rrethues fillonte të flitej se filanit apo fistekut i ishin bërë djemtë dhe vajzat për fejesë, ndaj më pas hallkun fillonte t’i “hante dreqi në bark” duke shpërndarë theshetheme të tipit “i mbeti djali apo vajza pa u fejuar” dhe “pse i mbeti?”. Vonesa e fejesave të djemve dhe vajzave nuk ishte shenjë e mirë për familjen, sepse frika ishte se mos po iu kalonte vakti (koha) djemve e sidomos vajzave për fejesë e mbeteshin pastaj në shtëpi të babës (babait).
Mbetja e vajzave në shtëpi të prindërve, apo mosfejesa, konsiderohej gjë e rëndë për familjen e vajzës në ato kohëra, ndërkohë që sot ka plot, të cilave apo të cilëve as që iu bën për fejesë e martesë, ndërkohë që kjo për atë kohë përbënte barrë të madhe për familjen, kryesisht edhe për shkak se “fjalët e hallkut e vrimat e gardhit s’ndaleshin kurrë”, sepse kishte shumë të tillë që merreshin shumë më shumë me punë të huaja sesa të vetat. Kurse sot të gjithë merren eksluzivisht me punë të veta…
Por, si fillonte fejesa, a ja di kush fijen apo keni harruar?
Kur meshkujt dhe vajzat mbushnin 16 vjet e tutje plotësonin kushtin kryesor për fejesë. Fejesa bëhej që të martohesin djali dhe vajza në mënyrë që të sigurohej trashëgimia familjare, pra mos të humbte rodi (trashëguesi), mos të mbetej mashkulli i shtëpisë pa hise në pasuri të përgjithshme të familjes, të shtohej familja dhe të rritej fuqia punëtore e familjes së djalit. Rritja demografike e madhe që atëbotë bëhej, ndodhte sepse shumë fëmijë vdisnin nga kushtet e vështira socio-ekonomike dhe mosqasja në shëndetësi, ndaj duhej bërë sa më shumë fëmijë, sepse edhe nëse vdiste ndonjë, të mbeteshin mjaftueshëm për të siguruar fuqi punëtore krahu.
Nuk bëhej rritja demografike për efekte patriotizmi se kinse donim ta rritnim shqiptarinë, pallavra ishin ato, atëherë dhe sot.
Kështu, familja e djalit përmes fqinjëve, jaranave dhe miqve ndezte motorët për ta fejuar djalin. Pra, iniciativa duhej të vinte gjithmonë nga familja e djalit. Por, kishte raste kur dikush që kishte vajzë/a jepte sinjale që “do ta kishte për mik filanin e fistekun”, ndaj hapte rrugë për t’ia kërkuar dorën e vajzës, pra i jepte disa “isharete” (shenja) që njerëzia e asaj kohe i kuptonin dhe i kapnin shumë mirë. Por, nga varfëria kronike, mungesa e mjeteve të transportit dhe mungesa e infrastrukturës, familjet preferonin që miqësirat t’i lidhnin sa më afër vendbanimit të djalit. Ta fejoje vajzën në një rreth tjetër thuhej “e paske humbur vajzën, po pse a s’pate mundësi më afër a”? Ç’është më e keqja, fejesat, dasmat dhe ahengjet e ndryshme bëheshin atëbotë kryesisht dimrit, për shkak se verës duhej të punonin familjet, ndaj nuk duhej humbur argati siç thuhej në ato kohëra. Ndaj një fejesë apo dasëm tyneherë ishte sikur “luftë” për familjet nga skamja, varfëria e bora në të cilën mërdhiheshin dasmorët.
Po cilat ishin pistat “gjahut”?
Zakonisht kërkohej dora e atyre vajzave që përmes dikujt njihej familja e saj me të djalit. Familjet që kishin vajza shumë, ishin cak i mësitëve, sepse në raste të tilla familjet e vajzave e kishin dorën më të “shlirë” (lirë) për të çuar vajzat nëpër “punë të veta” apo për “t’ua hequr dertin” siç thuhej në atë kohë, kur e martonin një vajzë nga shumë sosh që kishte një familje. Ngaqë atëbotë ishte shumë vështirë ta fejoje djalin, ndodhte shpesh familjet mes vete të karrabytheshin aq shumë duke “ndërruar” vajzat, saqë dikur as dreqi s’i binte në fijet se kush me kë ishte i/e martuar. Kishte familje të gjera që pothuaj tërë miqësinë e lidhnin në një vendbanim dhe jo rastësisht thuhej “filan mahalla e kanë tërë miqësinë me fistek vendbanimin”.
Sa mënyra fejese kishte?
– Më e përhapura ishte fejesa me mësit, kur djali dhe vajza s’njiheshin fare mes vete ose ndodhte të ishin njohur “sipërfaqësisht” e rrallë “hollësisht”;
– Përmes lidhjeve familjare kur gratë mes vete kryenin punën kryesore mësitnore, ndërsa mësiti ftohej vetëm formalisht;
– Fejesat me premtim ende pa lindur vajzat dhe djemtë ose sa ishin fëmijë (kjo bëhej nga të zotët e shtëpisë si nder i ndërsjelltë për trashje apo nxënie miqësie);
– Fejesat kur motra nxirrte edhe motrën/at për kunatin/kunetërit e vet apo ndonjë familjari ku ishte e martuar;
– Fejesat me lekë;
– Fejesat aty këtu por tepër rrallë kur djali me vajzën njiheshin vetë;
– Fejesat me qykën e qykës së zorit kur ndodhte që vajza e fejuar nuk donte ta merrte djalin dhe pastaj familja e djalit kërkonin patjetër një vajzë nga e njëjta shtëpi, përndryshe kërciste plumbi për fat të keq;
– Fejesat përmes klerit (prifti, hoxha apo shehu);
– Si dhe “grabitjet” kur djali e merrte vajzën pa “izë” (leje) të familjes së vajzës varianti ky më brutal i kohës siç atëherë konsiderohej.
Kriteret për fejesë të djalit dhe vajzës
Kriteret fizike
– Djali duhej të ishte para se gjithash tarak siç pezhorativizohej tyneherë djali beqar dhe i gatshëm për fejesë;
– Duhej parë se a i përgjigjej përafërsisht bukuria e vajzës bukurisë së djalit, këtu nuk kërkohej edhe shumë vajzë e bukur, sepse kjo pastaj mund ta rriste nevojën për armëmbajtje për ta parandaluar dhe pse jo luftuar rritjen e pritshme të përdorimit të shkallëve në shkallë të gjerë…;
– Djali duhej të ishte bindshëm më i vjetër se vajza;
– Pyetej a kishte të kryer djali ushtrinë, sepse nëse jo, konsideroj “nesposoban” siç thuhej në atë kohë, që në shqip i binte shkokël apo shkokërdhan;
– Djali duhet të ishte që e shkyente maçokun (maçorrin) dhe jo vetëm…, pra dallfuran (i fuqishëm) apo furan mashkull, këto ishin asetet që kërkoheshin;
– Vajza duhej të ishte para se gjithash “vajzë”, përndryshe nëse merrej “vesh diç”, dilnin telashe të mëdha deri në Sondergespräche (biseda speciale);
– Vajza nuk duhej të kishte sakatllëk;
– Vajza duhej ishte bindshëm me e re se djali;
– Duhej të analizohej se a i përgjigjej djali bukurisë së vajzës, pra a mos ishte djali shumë “udopt” (i dobët, i pahijshëm);
– Vajza duhej të ishte e madhe, e bardhë dhe e trashë që e “zinte derën”, këto ishin asetet që kërkoheshin…
Kriteret rrethanore
– Duhej analizuar sa pasuri dhe nam kishte familja e djalit/vajzës, pra a ishte oxhakzade (shtëpi me zë) apo jo;
– Duhej analizuar se a i përgjigjej nami i vendlindjes se vajzës namit të vendlindjes së djalit ose e kundërta, sepse në atë kohë disa vendbanime konsideroheshin më me nam p.sh. Prishtina me një qytet tjetër të Kosovës;
– Djali nuk bënte ta kërkonte dorën e vajzës, nëse dikush nga të afërmit e djalit ia kishte lypur dorën asaj vajze apo vajzave të familjes më të gjerë;
– Duhej siguruar mos djali kishte ndonjë lidhje gjaku sado të largët me familjen e vajzës ose e kundërta;
– Duhej shikuar se cilit fis i takonte vajza apo djali;
– Duhej shikuar mos familja e djalit/vajzës ishte në gjak, ngatërresë apo mos kishte probleme të ngjashme;
– Duhej analizuar se a i përgjigjej familja e vajzës familjes së djalit ose e kundërta në mënyrë që hallku (komuniteti) mos të flisnin për miqësi të paqëlluar, pra kërkohej “eshi me esh” (homologu me homologun);
– Duhej analizuar se mos ishte vajza shumë e re dhe nëse fejesa ndodhte, sa vjet duhej pritur familja e djalit deri sa vajza të “piqej” për martesë;
– Edhe vajza nuk bënte të fejohej në atë familje ku e kishin kërkuar më parë;
– Duhej shikuar te familja e djalit se a mos i mundojnë gratë shumë nëpër punë fushore (bagëti e bujqësi), me dhunë në familje apo gjëra tjera të rënda, nëse po nuk jepej vajza;
– Duhej shikuar se si i kishte punët me ujë të pijes familja e djalit, a kishin bunar apo krua, sa larg ishte bunari, kjo sepse nusja duhej kryer punët e shtëpisë ndaj dhe duhej bartur shumë ujë dhe kjo mund ta shkokërdhonte;
Kriteret fetare
– Nëse djali/vajza ishte i/e besimit musliman p.sh. me hoxhë edhe vajza/djali duhej të ishte me hoxhë e jo me sheh apo prift, apo e kundërta;
Kriteret kombëtare
– Meqë djali/vajza ishte shqiptar/e edhe djali/vajza duhej të ishte shqiptar/e, asesi nga komunitetet jo shumicë;
Kriteret politike
– Duhej analizuar se si ishte gjendja politike në familje të djalit/vajzës. Nëse kishte familje që ishin kundër pushtetit, piketonin djem/vajza të familjeve që ishin po ashtu kundër pushtetit. Por, kishte edhe raste kur familja ishte me pushtetin dhe nuk guxonte t’i merrte djalin/vajzën e ndonjë familjeje “irredentiste”, sepse kjo do të konsiderohej si bashkëpunim me kundërshtarët e pushtetit (pushtuesit). Të shpeshta kanë qenë rastet kur për fat të keq familjet patriotike izoloheshin dhe leçiteshin nga pushtuesi e rrethi, ndaj edhe komuniteti hezitonte të bashkëpunonte me ato familje “irredentiste”. Ndaj familja e djalit/vajzës duhej të ishte shumë e kujdesshme në këtë pikë për fat të keq të asaj kohe.
Pasi plotësoheshin kriteret e djalit dhe vajzës për fejesë, pastaj fillonte përzgjedhja e mënyrës më të lehtë për ta kërkuar dhe marrë dorën e vajzës. Mësiti ishte mënyra më e njohur për kohën. Por, edhe përzgjedhja e mësitit kishte shumë rëndësi për të pasur sukses në marrjen e dorës së vajzës.
Po cilat ishin kriteret e përzgjedhjes së mësitit?
– Pikë së pari duhej të përzgjedhej se kush mund të kryente punë. Në shumicën e rasteve përzgjedhej daja i vajzës si njeriu më i afërt shpirtërisht me nënën e vajzës që kishte ndikim të madh te vajza;
– Pastaj, mësiti duhej të ishte i shkathtë në negociata (negotiation skills) në mënyrë që para familjes së vajzës të fliste nga pozita e “lypësit krenar” apo nga “pozita e të fortit” (position of strength), pra që t’i bënte me dije familjes së vajzës se ofertat për djalin i kishin të shumta. Kjo si taktikë presioni që babai i vajzës ta jipte dorën e vajzës sa më shpejtë që të ishte e mundshme, se mos po ia nxinte vendin dikush tjetër. Mësiti nuk guxonte të jepte përshtypjen që familja e djalit ishte në zor për ta fejuar djalin. Shpejtësia e përgjigjes definitive nga ana e familjes së vajzës kishte rëndësi të madhe kur dihej që djalit i kishte ardhur koha për t’u fejuar, ndaj nëse jo aty, duhej kërkuar vajzë gjetiu;
– Mësiti duhej të ishte i aftë ta “shiste” sa më shtrenjtë familjen e djalit, ta lavdëronte atë, përfshirë djalin, i cili nga goja e mësitit duhej të dilte djalë “rod” (i vyeshëm) dhe punëtor. Nëse djali ishte Mësues, kjo përbënte përparësi të madhe për djalin, sikur më vonë kur dolën vizat apo siç thuhej “djali me letra”. Ishte kjo koha kur shqiptarët patën filluar të shkolloheshin dhe të formonin gradualisht shtresën e mesme shoqërore, prandaj Mësuesit vlerësoheshin si ajka e të shkolluarve për kohën;
– Mësiti duhej të ishte i shkathtë të kuptonte se mos rastësisht babai i vajzës po kërkonte “mes rreshtave” ndonjë bakshish në këmbim të dorës së vajzës, raste këto që ndodhnin për fat të keq, nga fukarallëku kronik që mbretëronte në ato kohëra;
– Thjeshtë mësiti duhej të ishte “vegëshkyer”, pra të arrinte të kryente punë, sepse në shumicën e rasteve edhe ai e merrte një bakshish goxha të mirë (shpesh një DM 500-she n’kajmak) nga familja e djalit.
Pasi plotësoheshin të gjitha kriteret për djalin dhe vajzën, bëhej plani i veprimit se si duhej të vepronte mësiti. Zakonisht mësiti duhej të shkonte dimrit për të kërkuar dorën e vajzës, ngaqë verës njerëzia ishin të nxënë me punë nëpër ara e fusha. Pra, dimrit zhvilloheshin negociatat.
Si duhej të vepronte mësiti?
Mësiti shkonte te familja e vajzës. Takimi i parë ishte kryesisht sa për të thënë, pra kryesisht një njoftim për qëllimin e shkuarjes dhe kaq. Përgjigjja e familjes së vajzës ishte si në vijim: “faleminderit që keni ardhur, ne tash e mprapa po i kqyrim hesapet tona”. Por, kishte raste kur familja e vajzës qysh në vizitën e parë ta kthente mësitin me miza b…e, gjersa mësitit s’i mbetej asnjë zgjidhje përpos “përcalljes”… Por, në rastet kur familja kishte interes ta fejonte vajzën në vendin ku po i kërkohej, i linte mësitit derën hapur për vizitën tjetër ose i jepte disa “isharete” (shenja përmes mënyrës së të folurit), ose zakonisht i tregohej drejtpërdretjë mësitit që të vinte prapë pas dy apo tri javësh, pra i caktohej një kohë si orientim.
Pas kësaj, familja e vajzës merrnin “dynjanë në dorë” për të marrë informata për familjen e djalit, gjendjen ekonomike të saj dhe vetë djalin personalisht, sepse siç thuhej “nuk po jepet vajza për dy ditë por për tërë jetën”, ndaj duhej gjetur një vend të mirë. Zakonisht familja e vajzës ngarkonte dikë ose shkonte vetë në vendlindje të djalit dhe i bënte një “veting” (verifikim) gjendjes së përgjithshme të familjes së djalit, duke pyetur disa persona se sa dhe si e njihnin familjen e djalit.
Kishte raste kur familja e vajzës kishte ndonjë lidhje familjare në vendbanimin e djalit, ndaj shkonte mu aty për të marrë informata. Zakonisht njerëzia e asaj kohe rezervoheshin goxha shumë të flisnin keq për njëri tjetrin, prandaj edhe familja e vajzës e kishin të vështirë të siguronin informata të detajuara për familjen e djalit dhe vetë djalit. Kishte raste kur tentohej të shihej drejtëpërdrejtë djali, pa e ditur ky i fundit se ishte nën “vëzhgim” të familjes së vajzës.
Kur shkonte mësiti herën e dytë, kur familja e vajzës kishte interes për dhënie dore të vajzës, i jepte prapë ca shenja (isharete) mësitit se puna ishte mirë, porse kërkohej ende angazhim (groundwork) shtesë. Mirëpo, ndodhte që familja e vajzës ta kishte ndarë mendjen për arsye të shumta dhe t’i thoshte “jo” mësitit që në takimin e dytë. Sa herë që mësiti shkonte te familja e vajzës, e kishte për obligim që të shkonte te familja e djalit për të “raportuar” për rezultatin e negociatave.
Kishte raste kur mësiti shkonte disa herë te familja e vajzës. Kjo taktikë nxitej edhe nga familja e djalit, derisa familja e vajzës të thoshnin t’iu ishte “bërë mësiti zhugë apo elteme” (i tepërt) duke shkuar shpesh. Dhe në një apo formë tjetër, kur mësiti ishte i shkathët dhe gjërat përputheshin, përfundimisht atij i jepej një peshqir apo marhamë (siç në origjinal quhej) nga familja e vajzës si shenjë që fejesa ishte formalizuar, të cilin peshqir apo marhamë mësiti e çonte drejtë e te familja e djalit dhe si “myzhde” (lajmërim) dhe ku jo rrallë merrte një DM 500-she (plus-minus) n’kajmak mbi “kontributin për atdhe”.
Kështu fejoheshin tyneherë. Ka pasur rregulla të rënda edhe pas fejesës. P.sh. djali, që pas fejesës e deri në martesë, e kishte të ndaluar të shkonte në vendbanim të nuses, sepse konsiderohej shkelje e rëndë “sovraniteti” po ta merrte vesh miku një veprim të tillë “diversant”. Bile thuhej që djali as me tren apo autobus nuk bënte t’i vinte përreth vendbanimit të vajzës sa ishte nën unazë (nën fejesë). Ndërsa, aeroplani dhe anijet s’kanë qenë në kombinim tyneherë…
E kur zyrtarizohej fejesa, si djali ashtu edhe vajza, rrinin nëpër disa qoshe të shtëpive apo oborreve të tyre, duke u munduar ta fshihnin gëzimin e tyre për natën “e madhe” që pritej të vinte. Bile vajza duhej të dukej se nuk ishte e kënaqur, sepse po të ndodhte e kundërta, pra ta shfaqte gëzimin e fejesës hapur, mund të dukej shumë keq para familjes, e cila mund ta etiketonte duke i thënë “kjo meçka mezi paska pritur të fejohet” apo fyerje tjera, nëse jo edhe ndonjë litar të lagur për ta bërë vishkull (dërmuar) së rrahuri.
Kurse te djali plaste gallata, ngase fqinjët, rrethi e shoqëria, sidomos gjenerata e djalit, s’ia linin vendin duke bërë shaka më të duke i thënë ta kishte shtrembëruar plisin tanimë, ngase tanimë e kishte të siguruar robin (nusen). Pra, ishte ajo kohë kur shprehja e ndjenjave e gëzimit për fejesë apo martesë dhe aspekte që lidheshin me to duhej të ndrydhej sa më shumë e të mos shpërfaqej sheshit, sepse nënkuptonte “humbjen e fytyrës” (loose of face), pra dukej keq sipas rregullave të rënda të asaj kohe rangjesh të shumta por dërmuese shoqërore./ Gazeta Papirus/