Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri, Abdullah Hoti, ka shpërndarë një video të kryeministrit Albin Kurti, të viteve të mëparshme ku dëgjohet tek thotë se “Aleanca me ShBA’në s’është për të ardhmen, nuk është aleancë e thellë, nuk është aleancë e gjerë.”, shkruan Gazeta Metro.
Hoti ka shpërndarë një video të kryeministrit Kurti, e cila është realizuar në vitin 2016, teksa e shpjegon sipas tij aleancën me SHBA’në.
Në një intervistë për RTV 21, Kurti në vitin 2016 theksonte se aleanca mes Kosovës dhe ShBA-së nuk është e thellë.
“Aleanca që ka vendi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e cekët edhe e ngushtë. Është aleancë për të kaluarën, është aleancë për intervenimin e NATO-s që ka ndodhur para 17 vjetësh dhe është aleancë për shpalljen e pavarësisë, që ka ndodhur para 8 vjetëve, dhe është aleancë për njohjet ndërkombëtare. Nuk është aleancë për të ardhmen, nuk është aleancë e thellë, nuk është aleancë e gjerë.”, vlerësonte Kurti vite më parë.
Ndërsa këtu ndërhyri gazetarja, e cila e pyeti se çfarë do të thoshte se aleanca mes Kosovës dhe ShBA’së s’është për të ardhmen e Kosovës.
“Nuk është aleancë për kombëtarizimin e shtetit, por për ndërkombëtarizimin e shtetit, thuajse jemi në vitet 90-ta. Kosova ka nevojë për konsilidim të brendshëm e jo vetëm për pranime nga jashtë” shtoi Kurti
E për këto pikëpamje të Kurtit sa i përket marrëdhënieve me SHBA’në, Hoti ka thënë se kjo çfarë po ndodh tani nuk është e rastësishme.
Tutje Hoti ka thënë se prishja e raporteve me SHBA është pjesë e programit të Kurtit.
“Ja pse po prishen raportet me Amerikën. Nuk është e rastësishme. Është pjesë e programit të tij…!”, ka shkruar Hoti