Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti ka deklaruar se nuk është shumë optimist se Kosova dhe Serbia do të arrijnë një marrëveshje për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ai në T7 e përmendi edhe qëndrimin e Serbisë lidhur me marrëveshjen për targat.
Ne e dimë që nesër është dita e fundit e afatit për targat e përkohshme që janë. Deklaratat e Serbisë në vazhdimësi dhe mospranimi i Serbisë edhe për marrëveshjen për targat, normalisht që nënkupton që aq më pak Serbia do të pranojë që të arrijë një marrëveshje me Kosovën për fatin e të pagjeturve”, tha ai.
Ai tregoi edhe për rrjedhën e bisedimeve në Bruksel me palën serbe për çështjen e personave të zhdukur.
Hoti tregoi edhe kërkesat që i kanë parashtruar në këto takime.
“Ne e kemi trajtuar në Bruksel nga shtatori e në vazhdimësi çështjen e personave të zhdukur dhe krejt çfarë ne kemi kërkuar prej BE-së dhe Serbisë është e para që të kemi një garanci nga BE-ja që kjo çështje të mbyllet dhe të ketë një epilog. E dyta është që ne kemi kërkuar që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë”, deklaroi Hoti.
Më tutje, Hoti tha se është i bindur se Kosova dhe Serbia nuk do të arrijnë marrëveshje finale pa bërë paraprakisht marrëveshje për çështjen e personave të zhdukur.
Jam shumë i bindur që Kosova dhe Serbia nuk do të kenë një marrëveshje të përgjithshme apo finale pa e pasur marrëveshjen për çështjen e personave të zhdukur”, tha ai./FrontOnline