Avdullah Hoti, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se, sikur të ulej TVSH-ja dhe të hiqej akciza përkohësisht, sot çmimet e prodhimit për biznese do të ishin më të ulëta.
Kështu ka deklaruar Hoti në Facebook, duke deklaruar edhe se, qeveria as nuk po i shpenzon mjetet për projekte kapitale dhe për rritje të pagave e as nuk iu lënë qytetarëve që t’i shpenzojnë ato.
Tutje, Hoti ka thënë se qeveria po i mbledh paratë pa nevojë, i mbanë në llogari.
Postimi i plotë:
Menaxhim katastrofal i parasë publike – ja një fakt i thjeshtë
Agjencia e Statistikave vlerëson se në tremujorin e tretë të vitit 2022, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, çmimet e prodhimit për biznese u rritën me 17.2% mesatarisht. Rritjen më të madhe e ka pasur energjia elektrike dhe gazi me 49.7%, duke i rritur kështu çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm.
Sikur të ulej TVSH-ja dhe të hiqej akciza përkohësisht, siç kemi propozuar në pranverë, sot çmimet prodhimit për biznese do të ishte më e ulëta. Rrjedhimisht, çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm do të ishin më të ulëta dhe jeta e familjeve do të ishte më të lehtë.
Sikur të ulej TVSH-ja dhe të hiqej akciza, sot nuk do të kishim 700 mil euro në llogari të Qeverisë, të cilat po i zhvlerëson inflacioni. Rreth 300 mil euro do të ishin në buxhetin e familjeve dhe bizneseve dhe do të qarkullonin në ekonomi.
As nuk i shpenzojnë mjetet për projekte kapitale dhe për rritje të pagave, e as nuk iu lënë qytetarëve që t’i shpenzojnë. I mbledhin pa nevojë, i mbajnë në llogari dhe zhvlerësohen nga inflacioni. Çfarë menaxhimi katastrofal i parasë publike!