Eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Afrim Hoti, ka shkruar rreth epilogut te dialogut ku në Kosovë ndodhen I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe i deleguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, transmeton /Gazeta Papirus/
Statusi i tij :
Ardhja e përbashkët – Simbolikë pozitive që reflekton unitetin Euro-Amerikan për epilogun e dialogut Kosovë Serbi.
– Qëndrimi amerikan – i qartë, i zëshëm dhe i vendosur;
– Qëndrimi europian – ambiguitiv.
Dialogu – duhet të vazhdojë. Kosova nuk ka pasur, nuk ka e as nuk do të ketë komoditetin e refuzimit të dialogut. Gjithsesi, fokusi duhet orientuar në substancë dhe pranimi do vinte në shprehje, kategorikisht, vetëm kur plotësohen interesat kombëtare.
Asociacioni – është obligim juridik ndërkombëtar i marrur mbi vete me Marrëveshjet e 19 Prill 2013 dhe 25 Gusht 2015.
Ecja mëtutje, ka dy alternativa:
a). Të ecet drejt themelimit të tij, ose
b). Të rinegociohet.
Nëse ecet drejt themelimit të tij, akti themelues, pos Rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese, duhet mbështetur në katër komponente kyçe:
1. Jo kompetenca ekzekutive për këtë mekanizëm;
2. Jo pushtet të ndërmjemë/asimetrik që do dëmtonte direkt/indirekt ndarjen klasike në pushtetin lokal dhe qendror në Kosovë;
3. Akti themelues të përmbajë klauzolë sipas së cilës Kuvendi i Kosovës, kontrollon strikt madje rezervon të drejtën e shpërbërjes së këtij mekanizmi, nëse gjen përpjekje për komprometim dhe abuzim përtej kompetencave të tija; dhe
4. Akti për themelimin e tij të hyjë në fuqi në ditën e njohjes së Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë.