Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas dështimit të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë për targat.
Ai, përmes një postimi në Facebook, tha se në vend se të dëgjoheshin këshillat e amerikanëve lidhur me vendimin për targat, negociohet me Serbinë në Bruksel.
Sipas tij, në Bruksel duhet të negociohet për zgjidhje problemesh, e jo për përmbyllje të marrëveshjes.
“Në vend që t’iu lihet kjo punë në dorë amerikanëve dhe të ndiqen këshillat e tyre për të përmbyllur dialogun, krijohen tensione në terren, pavarësisht se Kosova është në të drejtën e saj për të zbatuar ligjshmërinë. Tash duhet të negociohet në Bruksel për të zgjidhur problemet, e jo për të përmbyllur marrëveshjen”, ka shkruar Hoti.
Ai tha se kjo qasje nuk shpie askund.
“Edhe pse Kosova është në të drejtën e saj kur insiston në vendosjen e ligjshmërisë, kjo qasje na kthen prapa te dialogu teknik për kthim të serbëve në institucione, te dialogu për menaxhim të situatave, e jo dialog për marrëveshje finale për njohje reciproke”, ka shtuar ai.
Sipas tij, kjo situatë i përshtatet Serbisë, jo Kosovës.
Kujtojmë se më herët, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, pas takimeve që ka zhvilluar me Kurtin dhe Vuçiqin, ka bërë të ditur se ua ka bërë një propozim për ta shmangur përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, por sipas tij, këtë propozim e ka refuzuar Kurti.