Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Komisioni Hetimor Parlamentar duhet sa më parë të qartësojë për qytetarët se ku janë shpenzuar 100 milionë euro, përse është dashur të rriten tarifat me gjithë këtë subvencionim të qeverisë, dhe po ashtu të shqyrtojë me rigorozitet “pavarësinë” në vendimmarrje të ZRRE-së kur janë përcaktuar tarifat e reja të rrymës.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka kujtuar se Avokati i Popullit ka vlerësuar se tarifat e reja të energjisë elektrike kanë elemente diskriminuese, e cila, sipas Hotit, është në një linjë me vendimet e organeve të drejtësisë.
“Avokati i Popullit vlerëson se tarifat e reja të energjisë elektrike kanë elemente diskriminuese, vlerësim ky në linjë me vendimet e organeve të drejtësisë. Komisioni Hetimor Parlamentar duhet sa më parë të qartësojë për qytetarët këto çështje: kronologjinë e veprimeve dhe mosveprimeve të të gjitha institucioneve përkatëse, ku janë shpenzuar 100 milionë euro dhe përse është dashur të rriten tarifat me gjithë këtë subvencionim gjeneroz të Qeverisë, të shqyrtojë me rigorozitet “pavarësinë” në vendimmarrje të ZRRE-së kur janë përcaktuar tarifat e reja”, ka thënë Hoti.