Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me masat e Bashkimit Evropian të marra ndaj Kosovës dhe për njoftimin që BE-ja ia ka bërë Kosovës më 28 qershor për hyrjen në fuqi të masave.
Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës s’e ka njoftuar as Kuvendin e Kosovës dhe as qytetarët për këtë situatë të re dhe ka thënë se duhet Kuvendi të mblidhet për një seancë të jashtëzakonshme për t’u dakorduar për veprimet.
Deputeti i LDK-së ka pyetur se ku është presidentja e Kosovës dhe pse sipas tij ajo s’po e ushtron funksionin e saj.
Hoti thotë se Kurti dhe Osmani po e çojnë Kosovën në një rrugë tjetër dhe jo në atë të perëndimit.
Një gjë është e qartë: Kosova nuk mund të udhëhiqet nga një Kryeministër dhe Presidente, të cilët i sjellin vendit sanksione në vend të integrimit euro-atlantik”, ka thënë Hoti.
Reagimi i plotë:
Më 28 qershor 2023, BE e paska njoftuar Qeverinë e Kosovës për sanksionet e vendosura: suspendimi i MSA-së, suspendimi i projekteve që financohen nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, pezullimi i fondeve të IPA, pezullimi i takimeve të larta dy palëshe dhe masa të tjera.
Qeveria e Kosovës nuk e ka njoftuar as Kuvendin e Kosovës dhe as qytetarët për këtë situatë të re.
Kuvendi duhet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar dhe për tu dakorduar për kursin e veprimeve.
Ku është Presidentja e vendit? Pse nuk po e ushtron funksionin e saj? Ky binom po e çojnë Kosovën në një rrugë tjetër, jo në atë të perëndimit.
Një gjë është e qartë: Kosova nuk mund të udhëhiqet nga një Kryeministër dhe Presidente, të cilët i sjellin vendit sanksione në vend të integrimit euro-atlantik.