Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka reaguar pas deklaratave të Përfaqësuesit të Shoqatës së Familjarëve të Personave të Pagjetur, Bajram Qerkini i cili tha se Qeveria nuk e ka një plan-program për të punuar për çështjen e të pagjeturve.Qerkini tha se kjo Qeveri para se të vijë në pushtet ka premtuar shumë, por ka bërë pak punë, ndërkohë Hoti në anën tjetër thotë se kjo çështja nuk duhet përdoret për poena politikë dhe që padrejtësia për të pagjeturit nuk mund t’i faturohet Qeverisë dhe asnjë qeverie të vendit tonë.
“Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur nuk është një pozitë për ta afirmuar veten apo për të bërë avokatin e kryeministrit Kurti, por e vërteta është më komplekse dhe më brutale. Çfarëdo deklarate e familjarëve që shpreh ankesë apo frustrim për mua është e kuptueshme, e drejtë dhe e pritshme“, shrkuan Hoti në reagimin e tij në Facebook.
Ai shton se Serbia po vazhdon të përdorë këtë çështje për motive politike.
“Mirëpo, padrejtësia me fatin e personave të zhdukur, plaga jonë e pashëruar për gati 22 vjet nga lufta, nuk mund t’i faturohet kësaj qeverie dhe asnjë qeverie të vendit tonë. Baci Bajram e din mirë këtë, sidomos duke pasur parasysh se ai e drejton Qendrën Burimore Multietnike në Mitrovicë. Me gjithë përpjekjet e institucioneve tona dhe organizatave e partnerëve ndërkombëtarë, Serbia vazhdon ta keqpërdorë këtë çështje për motive politike”, shton ai.
Tutje Hoti thotë se përkundër që nuk ka pasur dialog muajt e fundit mes liderëve të shtetit, anëtarët e grupeve punuese nuk janë ndalur asnjëherë dhe vetëm gjatë muajve shtator-tetor janë mbajtur 6 takime.
Ky është reagimi i plotë i tij:
Sot në media janë transmetuar disa deklarata të z. Bajram Qerkini nga artikulli me titull “Qerkini thotë se Qeveria nuk ka plan-program për të pagjeturit: Kurti na takoi veç për vota”, ndaj të cilit, edhe pse nuk do të doja asnjëherë, s’mundem pa i thënë disa fjalë.
Në kuadër të lutjeve të mia të vazhdueshme publike po e përsëris edhe një herë: që grupet politike, mediat apo individë me agjenda të caktuara, të mos e përdorin çështjen e të pagjeturve për interesa politike apo të çfarëdo lloji tjetër, sepse është joetike, e pamoralshme dhe fyese për këtë plagë ende të hapur të shoqërisë tonë.
Që, tendenca e barazisë së kriminelit me viktimen, është e pafalshme, dhe nuk do të lejohet asnjëherë!
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur nuk është një pozitë për ta afirmuar veten apo për të bërë avokatin e kryeministrit Kurti, por e vërteta është më komplekse dhe më brutale.
Çfarëdo deklarate e familjarëve që shpreh ankesë apo frustrim për mua është e kuptueshme, e drejtë dhe e pritshme.
Mirëpo, padrejtësia me fatin e personave të zhdukur, plaga jonë e pashëruar për gati 22 vjet nga lufta, nuk mund t’i faturohet kësaj qeverie dhe asnjë qeverie të vendit tonë.
Baci Bajram e din mirë këtë, sidomos duke pasur parasysh se ai e drejton Qendrën Burimore Multietnike në Mitrovicë.
Me gjithë përpjekjet e institucioneve tona dhe organizatave e partnerëve ndërkombëtarë, Serbia vazhdon ta keqpërdorë këtë çështje për motive politike.
Ende sot, 22 vjet pas luftës, sfidë kryesore e këtij procesi është mungesa e informacioneve të besueshme lidhur me fatin e më të dashurve tanë.
Ende sot, 22 vjet pas, Serbia vazhdon t’i mbajë të fshehura krimet e luftës në Kosovë, duke përfshirë zhdukjen me dhunë të njerëzve tanë.
Prandaj, fajësimi i njërës apo tjetrës Qeveri në Kosovë është i padrejtë, dhe mund të jetë vetëm i nxitur nga motive të caktuara.
Ndërkaq, tendenca e faturimit të 22 viteve në pesë muajt e angazhimit tim si kryesues, jo vetëm që është e padrejtë dhe e papranueshme, por duke pasur parasysh takimet e shpeshta e punën e përbashkët, është edhe joetike.
Për hir të opinionit publik dua t’i them edhe disa fakte:
– Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (përmes Grupit Punues) nuk është ndalur asnjëherë. Gjashtë takime të Nëngrupeve Punuese janë mbajtur vetëm gjatë muajve Shtator – Tetor;
– Dy takime rajonale multilaterale janë mbajtur gjatë muajve Nëntor – Dhjetor;
– Zbardhja e fatit të personave të zhdukur po vazhdon të mbahet peng nga Serbia e cila edhe më tutje s’po tregohet e gatshme ta trajtojë këtë çështje ashtu siç është në të vërtetë, si humanitare, duke i dhënë informacionet për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve tanë;
– Në katër takimet e mbajtuara në Bruksel gjatë këtij viti, në secilin prej tyre është trajtuar me prioritet çështja e personave të zhdukur me dhunë;
– Avokimi i paqëllimshëm i z. Çërkini ndaj Odaloviçit për mos mbajtje të takimeve të Grupit Punues është i dëmshëm;
– Është theksuar disa herë nga Kryeministri Kurti, po e përsëris edhe unë: NUK KA dhe NUK DO TË KETË marrëveshje për normalizimin e marrrëdhënieve me Serbinë pa zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur me dhunë;
– Janë mbajtur dhjetëra takime të Komisionit me shoqatat e familjarëve, duke përfshirë edhe Qendren Burimore multietnike të z. Bajram Çerkini.
Të gjitha shqetësimet e tyre janë adresuar; Kryeministri Kurti ka qenë i pranishëm në aktivitetin tonë të raportimit vjetor, në të cilin kanë marrë pjesë edhe shoqata të familjarëve dhe ka qenë i ftuar edhe z. Çerkini;
– 25 identifikime janë bërë gjatë këtij viti;
Në dy rivarrimet e fundit, në Rrezallë dhe në Mitrovicë, ka marrë pjesë edhe Kryeministri Kurti bashkë me z. Çerkini;
Sidoqoftë, qëllimi i vetëm i KQPZH dhe i familjarëve është zbardhja e fatit të personave të zhdukur, i prezantuar disa herë në takime dhe në media.
Adresimi i sfidave është plani ynë primar.
Marrja dhe trajtimi i informacioneve të besueshmë, trajtimi i lokacioneve të dyshuara për varreza masive dhe individuale në teritorin e Kosovës dhe në Serbi, trajtimi i eshtrave të paidentifikuara që gjenden në Morgun e Prishtinës, presioni i shtuar ndaj Serbisë përmes formave të ndryshme, në takimet dypalëshe, multilaterale, në kuadër të dialogut të Brukselit dhe përmes shteteve mike si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, etj.
Në fund po e përsëris: Duke bashkëndjerë dhimbjen me z. Çerkini dhe të gjithë familjarët e tjerë që kanë vuajtur shumë duke kërkuar më të dashurit e tyre, ju siguroj për përkushtimin dhe angazhimin e pandalshëm të institucioneve shtetërore në zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë.