Teksa shefat ushtarakë të 30 vendeve evropiane dhe përtej ishin mbledhur afër Londrës për të diskutuar këtë javë për një mision ushtarak në Ukrainë, ish-shefi i ushtrisë amerikane në Evropë, Ben Hodges, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se këto shtete do të mund të formonin misionin pa ndihmën amerikane.
“Ukraina e ka ndalur Rusinë pothuajse vetëm”, ka thënë Ben Hodges, i cili është pensionuar nga detyra e gjeneralit komandues më 2017.
“Ushtarët të cilat i kam takuar ndër vite në Mbretëri të Bashkuar, Francë, Gjermani, Holandë, Finlandë dhe Poloni, janë gra dhe burra të kualifikuar dhe me pajisje të mira”.
Britania dhe Franca janë në krye të përpjekjeve për të krijuar një forcë ushtarake që do të angazhohej në Ukrainë, në rast të ndonjë armëpushimi, mirëpo kanë sugjeruar se për këtë forcë janë jetike ato që kryeministri britanik, Keir Starmer, i ka quajtur “garanci amerikane”.
Kjo kërkesë duket se lidhet me nevojën për mbështetje ajrore, logjistike dhe të inteligjencës.
Megjithatë, Uashingtoni është treguar i ftohtë ndaj idesë së përfshirjes së ushtrisë amerikane, derisa Moska ka thënë se çdo prezencë e forcave prej vendeve anëtare të NATO-s do të ishte e papranueshme.
“Duke gjykuar nga bisedat mes palës amerikane dhe asaj ruse, besoj se nuk ka pothuajse asnjë mundësi që SHBA-ja t’i ofrojë ato garanci. Nuk besoj se kjo administratë ka gatishmëri për ta bërë këtë”, ka thënë Hodges.
“E gjithë biseda mes palës amerikane dhe asaj ruse nuk lidhet me realitetin se kush është Rusia”.
Sulmet e pareshtura të Rusisë në Ukrainë
Bisedimet mes dy shteteve kanë rezultuar me avancim të planeve për një armëpushim të pjesshëm, dhe jo për ndalje të plotë të luftimeve, siç është propozuar nga Uashingtoni.
Ato janë fokusuar edhe në përmirësim të marrëdhënieve bilaterale diplomatike dhe ekonomike, përfshirë edhe për aranzhim të ndeshjeve të hokejit mbi akull.
Ndërkohë, Rusia ka vazhduar sulmet në Ukrainë, duke goditur dy spitale dhe infrastrukturë tjetër civile këtë javë. Ukraina akuzon Rusinë për sulme në infrastrukturën e saj të energjisë, më 18 mars, disa orë pasi presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se do t’i ndalë sulmet e tilla.
Ukraina është kundërpërgjigjur me sulme me dronë në objektet ushtarake dhe ato të energjisë në Rusi.
Starmer ka thënë në organizimin e 20 marsit se do të bëhen përgatitje për atë që e ka quajtur “fazë operacionale”.
Në këtë fazë pritet të finalizohen diskutimet për mënyrën se si do të duket forca, si do të pajisjet dhe aspekte tjera.
Aktualisht, Britania dhe Franca janë zotuar për t’i angazhuar ushtarët e tyre.
Më herët gjatë javës, Britania ka thënë se “një numër i konsiderueshëm” i shteteve kanë gatishmëri për të angazhuar trupa paqeruajtëse, mirëpo pa përmendur ndonjërën.
Shtetet sikurse Australia, Kanadaja dhe Finlanda, janë deklaruar hapur se janë të gatshme të përfshihen në ndonjë mënyrë.
Zëdhënësi i Starmerit ka thënë më 17 mars se e ka përmendur mbështetjen inxhinierike, përdorimin e hapësirave ajrore dhe strehimin e ekuipazhit si mënyra përmes së cilave shtetet do të mund të kontribuonin në mision.
Hodges ka thënë se elementi kryesor për të cilin duhet të pajtohen palët në Angli është një mision i definuar qartë, i cili do të mundësonte planifikim dhe përgatitje të detajuara.
“Ata me siguri janë duke punuar në disa skenarë. Nëse flasim për një zonë të ndarjes mes trupave ukrainase dhe ruse, po flasim për një numër të madh trupash. Nëse flasim për vendosjen e tyre mbrapa ukrainasve, atëherë duhen më pak trupa. Ky skenar është më i sigurt, por më pak efektiv”.
Rregullat e angazhimit?
Një tjetër detaj që po diskutohet ka të bëjë me rregullat e angazhimit.
“Nëse forca do të jetë 50-100 kilometra mbrapa ukrainasve dhe ata do të duhet të kërkojnë leje prej Brukselit për të rrëzuar një dron, atëherë kjo nuk do jetë forcë e suksesshme në vëzhgim të armëpushimit”, ka thënë Hodges.
Takimi i 20 marsit është mbrojtur jashtë Londrës.
Në nisje, Qeveria britanike ka publikuar fotografi të Starmerit duke vizituar një nëndetëse bërthamore, më herët gjatë javës.
Duke qenë vizita e parë e një kryeministrit britanik në më shumë se një dekadë, ajo ka vënë në pah ekzistencën e kapaciteteve bërthamore të Britanisë, teksa Starmer synon të rrisë mbështetjen për një mision ushtarak pa përfshirjen direke të SHBA-së.
Hodges i ka thënë Radios Evropa e Lirë se forcat bërthamore britanike dhe franceze, ndonëse në numër shumë më të vogël se ushtarët rusë, mund të shërbejnë si forcë parandaluese.
“Nuk ka nevojë që të barazohen me secilën raketë ruse për t’i penguar”, ka thënë ai. /REL/