Nesër do të zhvillohet Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës ku pritet të votohet statuti i ri i kësaj federate pas kërkesës së Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport që ky kusht të plotësohet në mënyrë që FFK- të rilicencohet.
Thirrja e kuvendit është përcjellë me kritika të mëdha nga njohës të futbollit në vend duke pretenduar në shkelje ligjore edhe në statutin e ri, madje disa prej klubeve të Superligës si Drita, Prishtina dhe Trepça përmes komunikatave zyrtare kanë bërë të ditur se nuk do ta votojnë atë.
Në lidhje me kuvendin e nesërm, për KoovaPress ka folur ushtruesi i detyrës së Sekretart të FFK-së Tauland Hodaj i cili para se gjithash ka deklaruar se kuvendi është plotësisht i ligjshëm dhe se statuti i ri është punuar në bashkëpunim të plotë me FIFA-në dhe UEFA-në.
“Si çdo organizatë, edhe organizata e futbollit në Kosovë, FFK, është organizatë jo qeveritare që konform ligjit mund të mbaj kuvendin e rregullt dhe të jashtëzakonshëm. Kuvendet e rregullta i mban çdo vit, një herë në vit, kuvendin e jashtëzakonshëm varësisht prej nevojave dhe kërkesave. Kësaj radhe, ka qenë e planifikuar prej kuvendit të kaluar që të ndryshohet statuti sepse është statut i vjetër, po ashtu kërkesë ka qenë edhe e komisionit të rilicencimit të ministrisë që statuti të ndryshohet. Në këtë vijimësi është caktuar një kuvend i jashtëzakonshëm për ndryshim-plotësimin e statutit i cili statut është punuar prej muajit prill deri më tani nga një ekip prej tre zyrtarëve të UEFA-së, dy nga FIFA dhe një komision nga Federata e Futbollit të Kosovës.”, tha Hodaj.
Tutje Hodaj shtoi se komisioni i Ministrisë së Sportit po këkron të plotësohen kushte përtej asaj që kërkohet me ligjet në fuqi.
“Federata e Futbollit të Kosovës ka detyrime te UEFA dhe FIFA, por edhe te institucionet e Republikës së Kosovës, ka detyrime ndaj ligjeve dhe akteve të aplikueshme, por jo detyrime ndaj personave të caktuar që mund të keqinterpretojnë me shkas. Ne me këtë statutin e ri i kemi marr parasysh të gjitha kërkesa, vërejtjet e komisionit për licencim të ministrisë, përkundër që disa kërkesa kanë qenë sipas mendimit tonë jo të bazuara, por nëse nuk rënë ndesh me statusin e UEFA-së dhe FIFA-së i kemi korporuar. Përndryshe ne i kemi plotësuar të gjitha ato kushte që kërkohen me ligjin për sport, ligjin për OJQ dhe udhëzimet administrative përkatëse për licencim.”, theksoi Hodaj.
Ai shtoi Federata e Futbollit të Kosovës tashmë i ka plotësuar të gjitha kushtet për ta marrë rilicencimin.
“Federata është e licencuar sepse funksionon, çdo vit e bënë licencimin nga departamenti i OJQ-ve të Ministrisë së Administratës Publike, po ashtu e ka pasur licencën e Ministrisë së Sportit. Është plotësisht e licencuar në UEFA dhe FIFA…Ne do t’i plotësojmë të gjitha kushtet që parashihen në ligj me udhëzim administrativ, por jo t’i plotësojmë teket e disa personave të nivelit të tretë që mund të je në ministri që dalin dezinformojnë.”, shtoi ai.
Së fundi u raportua se po nga i njëjti komision ka kërkuar Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit që kryetari Agim Ademi te dorëhiqet nga pozita e tij, gjë të cilën e ka konfirmuar për KosovaPress Hodaj.
“Fatkeqësisht nuk është e re diçka, do të thotë komisioni, sipas bindjes sime me qëllim po keqinterpreton disa pjesë të ligjit dhe udhëzimit administrativ dhe po bën kërkesa përtej çfarë kërkohet në ligj në udhëzimin administrativ. Nuk është kjo shkresa e parë, ndër të dhjetat që i kemi pasur korrespodencat me komision dhe është në vijimësi të atyre që janë bërë më herët. Edhe në kuvendin e kaluar, paraprak kemi pasur një komision i tillë ka dërguar një shkresë te ministri që kuvendi është i jashtëligjshëm…Pra është e njëjta, gjithmonë para kuvendeve dalin persona në shesh që punojnë, persona të nivelit të tretë në kuadër të ministrisë që bëjnë këso rekomandime të tilla, por ata nuk kanë funksion vendimmarrës kështu që vendimmarrës është ministri dhe çdo vendim i ministrit është i plotfuqishëm.”, tha ai.
Për të gjitha këto zhvillime dhe pretendimet e MKRS-së, Hodaj ka paralajmëruar se FIFA do të reagojë fuqishmë ndaj tyre.
“Të iu jap dhe një lajm risi që shumë shpejtë edhe FIFA do të jap verdiktin e vet në lidhje me këto pretendime të ministrisë. Kjo nënkupton, ata do t’i japin sqarimet e nevojshme sepse këta zyrtar të ministrisë kanë interpretuar kodin disiplinor të FIFA-së të cilët nuk janë të thirrur, nuk kanë kompetencë dhe nuk kanë mandat ligjor ta bëjnë një gjë të tillë, por atë e ka në mandat ta bëjë vet FIFA, organet disiplinore të FIFA-së dhe ata do ta bëjnë. Unë besoj që sot do ta bëjnë ata.”, bëri të ditur Hodaj.
Në fund, Hodaj ka folur edhe për rrezikun e përjashtimit të FFK-së nga FIFA dhe UEFA për shkak të ndërhyrjeve të ministrisë, gjë për të cilën tha se momentalish nuk ka rrezik të ndodh.Hodaj: Nuk e rrezikojmë përjashtimin nga FIFA, por duhet pasur kujdes në vazhdim
“Jo, derisa nuk ka involvim direkt të lidershipit të ministrisë, që nuk besoj që do të ketë se ata i kuptojnë gjërat, por me këta zyrtare të vegjël ne eventualisht nëse vazhdojnë kështu e kemi gjykatat tona që besoj se ato do të veprojnë dhe do të marrin vendim të caktuar, por derisa nuk kemi një involvim direkt të ministrit apo ndonjë institucioni tjetër nuk besoj që është e rrugës”, tha në fund ai.