Me zgjedhjen e Presidentit të ri çek është mbyllur qasja jo e qëndrueshme e këtij shteti ndaj pavarësimit të Kosovës. Petr Pavel, me sfond ushtarak dhe i angazhuar në NATO, është tash President i Çekisë. Ndryshe, prej ish-Presidentit Milosh Zeman, Pavel është përkrahës i Kosovës.
Milosh Zeman vizitën e fundit zyrtare e bëri në Beograd, për t’i shprehur simpatinë personale popullit serb. Me largimin e tij, u larguan edhe mëdyshjet rreth qëndrimit të Çekisë ndaj pavarësisë së Kosovës.
Presidenti i ri është Petr Pavel. Një veteran i misioneve paqeruajtëse në Ballkan, që përfundoi karrierën e tij ushtarake si Komandant i forcave çeke dhe kryesues i Komitetit Ushtarak të NATO-s, përfaqëson të kundërtën e Zemanit. Si lider i deklaruar pro-Perëndimor, priten ndryshime të mëdha në Zyrën e Presidencës çeke dhe në politikën e jashtme të shtetit.