Gati katër muaj pas shpalljes së mëvetësisë, Kosova e kishte miratuar himnin ‘Evropa’ të kompozitorit, Mendi Mengjiqi. Nga ajo kohë e deri më sot, himni zyrtarisht është i patekst, edhe pse kompozitori i ka dritësuar vargjet origjinale përmes të cilave e kishte kompozuar melodinë më shquese të Republikës. I interpretuar dhe performuar prej ceremonive të larta shtetërore e deri te paraqitjet e ekipeve sportive nga Kosova, shpesh audienca duhet të lëvizë buzët ose murmurisë nëpër dhëmbë fjalë që nuk ekzistojnë…se paku jo zyrtarisht. Megjithatë, ka shembuj në botë kur himnet aktuale po ndryshohen e po gjenden të reja për të shëmbëllyer realitetet dhe identitetet e reja.
Col Mehmeti
Kirgizstani ka hapur konkurs kombëtar për të hidisur nga e para një himn të ri për shtetin.
Sipas zyrtarëve të republikës në Azinë Qendrore, arsyeja për një gjë të tillë është vështirësia për ta kënduar atë.
Kjo ka vënë në siklet edhe hierarkë të lartë të qeverisë kirgize që ta performojnë si duhet himnin.
I miratuar më 1992, himni është ndjesuar nga një pjesë e publikut se ngërthen në vete mbijetoja të kompozimit dhe shkrimit në stil sovjetik.
Ideja për ndryshimin e himnit së pari herë ishte zëruar më 25 tetor të vitit të kaluar përmes kreut të Kuvendit kirgiz, Nurlanbenk Shakiyev.
Ai kishte shpjeguar se himni aktual ishte miratuar para 33 vjete në një kohë kur vendi sapo kishte fituar pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik. Kështu, sipas zyrtarit në fjalë, Kirgizstani është një vend krejt ndryshe tani dhe qëndron në këmbët e veta.
Sipas Shakiyevit, himni tingëllon si një marshim dhe është i vështirë për ta kënduar, teksa premtoi që tutje secili, prej 6 vjeçarëve deri 90 vjeçarët, do të jenë në gjendje ta këndojnë himnin e ri.
Japorov: Himni aktual nuk frymëzon patriotizëm
Se kjo nuk ishte thjesht çështje fjalësh e dëshirash e dëshmoi fakti që idenë e përqafoi nxehtësisht edhe presidenti dorëfortë kirgiz, Sadyr Japorov.
Në një intervistë për Kabar news, ai kishte thënë se himni i tashpërtashëm nuk ia del mbanë që të frymëzojë patriotizëm e unitet, dhe si i tillë nuk e fuqizon shpirtin e shoqërisë bashkëkohore kirgize.
“Himni i tanishëm është shkruar fill pasi fituam pavarësinë. Neve na duhet një himn i ri që mishëron historinë tonë të pasur dhe kombin e fuqishëm që po bëhemi”, kishte theksuar Japorov.
Për më tepër, kjo nismë i bashkohet ndryshimeve kundërthënëse që Japorovi kishte bërë më 2023 te flamuri kombëtar i Kirgizstanit.
Ndërkohë, tash së fundmi është bërë e ditur se është zgjatur deri më 21 prill puna e komisionit për ndryshimin e muzikës dhe tekstit të Himnit Kombëtar të Kirgizstanit.
Sipas zyrtarëve në Ministrinë e Kulturë së këtij vendi, deri më tani janë pranuar 16 variante.
Himni i Kosovës, 17 vjet pa tekst
Zyrtarisht, himni i Republikës së Kosovës nuk ka fare tekst (lirikë).
Pa fjalë përcjellëse, himni i Kosovës, që u zgjodh me shifrën ‘Evropa’, ishte miratuar me 11 qershor 2008 me 72 vota për, 15 kundër dhe 5 abstenime gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës.
Në ceremoninë e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran fillimisht ishte luajtur ‘himni’ evropian Ode to Joy si gjest vullnetmirë për të shprehur respektin ndaj Bashkimit Evropian.
Më pak së një muaj, Kuvendi i Kosovës kishte hapur konkursin për zgjedhjen e një himni kombëtar për shtetin më të ri në Evropë.
Ndër kushtet e përmendura për propozimet ishin edhe këto: kompozimi duhet të jetë unik dhe origjinal; gjatësia e kompozimit nuk duhet të jetë më pak se 30 sekonda e më shumë se 60 sekonda; në aplikime mund të përfshihen edhe tekste në cilëndo prej gjuhëve zyrtare në Kosovë.
Caktimi i simboleve shumëetnike për Kosovën ishte paraparë një vit më herët me rastin e publikimit të Planit të Ahtisaarit.
Një garë mes himnesh
Asokohe ishte përfolur goxha shpesh që nderi i himnit shtetëror do t’i takonte kompozimit të Rauf Dhomit ‘Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë’, i cili ishte përdorur shpesh nga ish-presidenti, Ibrahim Rugova.
Ndër prurjet e paraqitura në këtë konkurs ishin edhe himni ‘Kosova diell’ me muzikë të Sami Pirrajt dhe tekst të Skënder Zogajt si dhe himni ‘Kosova jonë’ i kompozitorit, Vasil Tole.
Sidoqoftë, për himn të Kosovës u zgjodh kompozimi i Mendi Mengjiqit si krijim në formatin instrumental simfonik.
Vetëm dhjetë vjet më vonë, Menxhiqi kishte sjell himnin me tekstin e plotë:
O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë
Çerdhe e dashurisë
N`ty shqipet fluturojnë dhe yjet ndriçojnë
Vend i të parëve tonë
Ti qofsh bekue për jetë e mot
O nënë e jonë
Ne të dalim Zot
O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë
Çerdhe e dashurisë.
Si Spanja, himn pa fjalë
Ky himn, pa tekst zyrtar, nuk është i hasretit në Evropë. Edhe himnet kombëtare të Bosnjes, San Marinos dhe Spanjës nuk kanë tekst zyrtar, anipse me raste përdoren tekste.
Kështu, himni shtetëror spanjoll shpesh përmendet si rast kur edhe lojtarët e ekipit të futbollit lëvizin buzët e mërmërisin me vete.
Himni ‘Marcha Real’ është kompozuar në vitin e largët 1761 nga Manuel de Espinosa de los Monteros, i cili e sajoi melodinë që të bëhej marsh ushtarak për këmbësorinë spanjolle.
Në vitet 1770, mbreti Karli II e pati shpallur marsh zyrtar të Spanjës, kurse më vonë mori statusin e himnit kombëtar.
Në fakt, ka pasur një sërë përpjekjes që ‘Marcha Realit’ t’i vendosen fjalë, madje me raste edhe janë intonuar. Sidoqoftë, qeveria spanjolle nuk ia ka dhënë dritën jeshile propozimeve me tekste.
Ndryshime himnesh
Raste kur shtete i kanë ndryshuar himnet ose pjesë të tekstit zyrtar ka mjaft.
Në janar të 2021-s, Australia e ndryshoi vargun e dytë të himnit nga ‘For we are young and free’ në ‘For we are one and free’, si një mënyrë për ta përfshirë edhe historinë e indigjenëve austrialianë.
Edhe Afrika e Jugut, në periudhën e saj pasaparteidit, e pati krijuar një himn të ri kombëtar, në përpjekje për të simbolizuar untietin dhe ripajtimin e brendshëm.
Në dhjetor të vitit 2000, Rusia e kishte restauruar himnin e dikurshëm sovjetik me tekst të ri, duke e zëvendësuar himnin paraprak pa tekst.
Kurse, në Zvicër ‘Pslami zviceran’ është miratuar si himn kombëtar më 1981. Por, më 2014 ishte organizuar një garë për të gjetur një tekst të ri, porse himni original vazhdoi të mbetej në përdorim.