Një deklaratë që e dha ditë më parë, shkaktoi shumë reagime. Këtë herë, në një intervistë dhënë së fundi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, u pyet sërish mbi fjalët e tij për njohjen ndaj Kosovës, si kusht për hyrjen e Serbisë në BE. Mes tjerash, ai ka folur edhe për mungesën e takimit Kurti-Vuçiq.
Duke folur në lidhje me këtë çështje, Hill u shpreh si vijon:
“Jemi pak të dekurajuar aktualisht. Ne me të vërtetë përkrahim dhe vazhdojmë ta përkrahim procesin e BE-së dhe dialogun e Brukselit. Ne mendojmë që kjo është mënyra e duhur, në fakt mënyra e vetme. Mendoj që duhet të ketë një përpjekje të vërtetë për të bërë progress, sepse, e dini, ka shumë muaj që nuk po ndodhë shumë. Kështu që, mendoj se kemi disa problem me këtë. Jam i kënaqur që pala serbe ishte e gatshme të bisedojë. Është e rëndësishme”.
Tutje, Hill nga “Blici” serb u pyet rreth deklaratave të tij për njohjen e Kosovës nga Serbia, dhe se një gjë e tillë mund të mos jetë kusht për anëtarësimin e kësaj të fundit në BE.
“A mendoni vërtetë që kjo është e mundur”? – u pyet ai.
Sipas Hill, qëllimet e BE-së në procesin e dialogut janë të qarta – normalizimi i marrëdhënieve, që është ligjërisht i obligueshëm.
“Epo, fillimisht, unë vetëm po përsëris qëllimet e Bashkimit Evropian për dialogun. Qllimet janë shumë të qarta – ata duan normalizim gjithëpërfshirës, normalizim që është ligjërisht i obligueshëm. Në fjalë të tjerë, nuk mund të ketë normalizim të martën, dhe të mërkurën të mos funksionojë. Për këtë arsye, normalizim gjithëpërfshirës ligjërisht të obligueshëm. Është një detyrë e madhe. Mendoj që është shumë e vështirë për ta arritur këtë, siç tregojnë edhe ngjarjet e muajve të fundit. Sa për të ardhmen, të shohim se çka ndodhë. Mendoj që normalizimi gjithëpërfshirës është parakusht për gjithçka. Shpresoj që mund ta shohim të realizohet.” – tha ai.
Kur u pyet nëse diçka mund të ndryshojë, të paktën, që liderët e dy shteteve të ulen të flasin,Hill përmendi Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Nuk mund ta parashikoj të ardhmen, unë mezi e kuptoj të kaluarën, por besoj që ajo që është në tavolinë ka kuptim. Ka kuptim të ketë një Komunitet të komunave serbe. Ka kuptim të ulet tensionet. Ka me të vërtetë kuptim që Prishtina dhe Beogradi të kenë një marrëdhënie më të mirë se sa tani. Kështu që, ky është qëllimi i duhur, por natyrisht, dialogu është në një situatë të vështië aktualisht.” – u shpreh ai.
“A mund të flasim për ndonjë dialog konstruktiv, pa formimin e Asociacionit” – u pyet tutje Hill.
“E përsëris, nuk do të doja të hyja në pjesën e punës të z.Lajçak, por do të doja të shihja përpjekje dhe përpjekje. E di që disa biseda të tilla ekzistojnë në disa baza apo institucione, por mendoj se duhet të ketë më shumë – për ta kuptuar logjikën se pse dialogu me të vërtetë duhet të ketë progres.” – tha ai.
Ambasadori amerikan ka folur edhe për politikën perëndimore ndaj Kosovës sa i përket dinarit e mallrave serbe:
“Është e qartë që ka qenë një vit i vështirë për dialogun, dhe në një mënyrë ka qenë e vështirë sepse kur nuk funksionon dialogu, përdoren metoda të tjera, dhe metodat e tjera janë gjithmonë më të këqija. Kështu që nuk ka dyshim që ka shumë shqetësime për këtë, por sërish, derisa dikush të vijë me një ide më të mirë, unë nuk kam dëgjuar ide më të mirë se dialogu, dhe mendoj që duhet të mbështet më fuqishëm. Shpresoj që kjo të jetë ajo që shohim në javët dhe muajt në vazhdim”.