Kuvendi i Kosovës do të shqyrtojë sot në parim Projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.
Ky ligj ka ngjallur debate të mëdha brenda Grupit Parlamentar të LVV-së dhe ka nxitur përçarje në mesin e deputetëve të shumicës.
Në seancën ku ishte shqyrtuar ky projektligj para disa muajsh, kishte dështuar dy herë të votohej. Nëntë deputetë të mazhorancës votuan kundër.
Deputetët që votuan kundër ishin, Haxhi Avdyli, Burim Meta, Ekrem Mustafa, Fjolla Ujkani, Labinotë Demi-Murtezi, Arta Baralija, Bahrim Shabani, Erxhan Galushi, Duda Balje, Fidan Jilta.
Përveç kësaj, ligji kishte nxitur përplasje midis deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani dhe deputetes Saranda Bogujevci.
“E drejta e fertilizimit u jepet edhe vajzave të pamartuara. Pati edhe çështje të tjera. Unë personalisht nuk do të marrë pjesë në këtë diskutim, prandaj do të kërkoja nga ministri ta tërheqë dhe ta diskutojë për vërejtjet”, kishte thënë Rrahmani.
Ndaj Rrahmanit kishte reaguar deputetja e VV-së dhe nënkryetarja e Kuvendit, Bogujevci e cila kishte qenë goxha e ashpër në përgjigjën e saj.
“Unë po dua të jem e sinqertë dhe ta them edhe publikisht që përderisa unë nuk e kam pasur mundësinë të jem në lidhje apo të jem në lidhje martesore ose çfarëdo forme tjetër, kam dashtë të bëhem nënë edhe unë duhet të jem e limitume në bazë të asaj që e the vetëm pse një shoqni mendon se një normë duhet të jetë në një formë të caktume. Përderisa unë kam dashtë të bëhem nënë për mua ka qenë me rëndësi çfarë ka ofruar shkenca me ma mundësua atë të drejtë e jo me ma determinu një burrë, që unë duhet medoemos të kem një burrë me të cilin martohem për tu bërë nënë”, ka thënë Bogujevci.
Nuk dihet nëse LVV ka arritur konsensus sa i përket kësaj çështjeje dhe mbetet të shihet nëse ky ligj do të arrijë t’i sigurojë votat për t’u votuar në parim.
Projektligji synon të realizojë dhe këshillojë për këto procedura -të fertilizimit të asistuar mjekësor – si e drejtë riprodhuese e individit kur nuk arrihet shtatëzani e dëshiruar me rrugë natyrore.
Sipas projektligjit, qelizat riprodhuese të dhuruara mund të përdoren vetëm në këto raste: “Kur në ekzaminimet mjekësore konstatohet se te njëri bashkëshort nuk ekzistojnë qelizat riprodhuese ose janë jofunksionale; kur ekziston mundësia e bartjes së sëmundjes trashëguese nga prindërit tek fëmija; kur femra është e pamartuar fertile”.
Neni 30 i Projektligjit, parasheh ndalesat për qelizat riprodhuese. Sipas paragrafit 3 të këtij neni, është i ndaluar përdorimi i qelizave riprodhuese të një personi për lindjen e më shumë se tre fëmijëve te një grua.
“Ndalohet përdorimi i qelizave riprodhuese të një dhuruesi, te çifti dhe te femra e pamartuar atëhere kur ato shfrytëzohen për lindjen e më shumë se tre fëmijëve të gjallë te e njejta femër”, thuhet në projektligj.
Po ashtu, ligji ndalon shërbimin e lindjes së fëmijës për tjetrin përmes nënës surrogate.