Punësimi i familjarëve, miqve e të afërmeve të tjerë, ndër vite është kritikuar nga pushteti aktual. Thënia e famshme “miqtë e familjarët janë për dasma”, edhe sot jehonë në veshin e shumicës së votuesve të Kosovës.
Nëpër shumicën e institucioneve e ndërmarrjeve, Nacionale po raporton në vazhdimësi për rehatimin e zyrtarëve të afërt me partinë në pushtet. Megjithatë, kohëve të fundit situata ka kaluar një nivel më lartë.
Në Agjencinë Pyjore të Kosovës që është në kuadrin e Ministrisë së Bujqësisë, ishte punësuar Shqipe Krasniqi-Kllokoqi. Kjo e fundit ishte ‘rehatuar’ në pozitën e Zyrtares për Buxhet dhe Financave.
Shpallja e rezultateve ishte bërë në muaji shkurt të këtij viti, ku kjo kandidate kishte marrë 83 pikë në total. Dukshëm më e vlerësuara se të gjithë të tjerët. Nacionale ka siguruar edhe listën me pikët e caktuara.
Sigurisht që emri i kësaj kandidateje në shikim të parë nuk thotë asgjë. Por, burimet e Nacionales të afërta me këto zhvillime kanë bërë të ditur se Shqipe Krasniqi-Kllokoqi është bashkëshortja e hetuesit të Policisë, Pajtim Kllokoqi.
Pajtim Kllokoqi është hetues në Sektorin për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Kosovës. Sipas burimeve të Nacionales, Kllokoqi në mesin e shumë rasteve që ka trajtuar, ka hetuar edhe raste në të kaluarën që janë ndërlidhur me Ministrinë e Bujqësisë.