2014-ta ishte viti më me fat i ministrit të Financave, Hekuran Muratit.
Si një 27 vjeçar, ai çdo dy muaj të atij viti arriti të blejë aksione në katër brendet më të mëdha botërore.
Kështu thonë të dhënat e Agjencionit për Parandalimin e Korrupsionit.
Me 29 maj 2014, ai bleu aksione në markën e njohur gjermane “Volkswagen”, me vlerë 2,832,00 euro.
Por Murati nuk u mjaftua me kaq.
Menjëherë pas dy muajve, pra në qershor të po të njëjtit vit, ai bleu aksione në një nga kompanitë më të mëdha të sigurimeve dhe shërbimeve financiare në botë, “Allianz SE”, me vlerë hiç më pak se 5,556,00.euro.
Entuziazmi i tij për t’u pasuruar nuk pati të ndalur, derisa në fund të muajit gusht ai vendosi që aksione të blejë edhe në kompaninë amerikane të veturave elektrike “Tesla”.
Këto aksione kapën shifrën marramendëse prej 24,663,00 euro.
Pesë vite më pas, pra në vitin 2019, pasi Murati iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje, ai iu fut edhe botës së filmit, duke blerë aksione në platformën ndërkombëtare të transmetimit të filmave “Netflix”, me vlerë 11,220,00 euro.
Ani pse i bleu, Murati siç duket harroi edhe datën, pasurinë që e deklaroi në vitin 2023 kishte dallim në datat e para katër vjetëve.
Siç duket Murati qysh i ri i kishte në qejf biznesin dhe financat.
Mirëpo shihet se bizneset në Kosovë nuk ishin aq fitimprurëse sa ato ndërkombëtare.
Ai në vitin 2012, kishte hapur tri lokale në vendlindjen e tij në Ferizaj.
Ani pse i hapi tri biznese, duket se punoi i vetëm meqë çuditërisht, nuk kishte deklaruar asnjë punëtorë, e po ashtu asnjë të ardhur financiare.
Kështu bëjnë të ditur të dhënat e Agjensionit për regjistrimin e bizneseve.
Të ardhurat në këto tri biznese i kishte deklaruar zero, megjithatë nuk dihet se ku i mori të hollat që menjëherë pas dy vjetëve të bëhet një nga aksionarët e katër brendeve më të mëdha në botë.
Për vite me radhë, para se ta provonte karrigen e ministrit, Hekuran Murati e kishte luajtur rolin e pronarit të mediave, ku e kishte hapur një portal, “Ekonomia Sot”, në të cilin publikonte lajme kryesisht nga ekonomia.
Për dallim nga bizneset paraprake të cilat i kishte regjistruar por i deklaroi me zero, këtë të fundit, ani pse funksionoi për vite me radhë, Hekuran Murati nuk e regjistroi kurrë. Bazuar në të dhënat e shpërndara në Facebook, “Ekonomia Sot”, postimin e fundit e ka bërë më 8 qershor 2022, një video ku shihet Albin Kurti në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.
Për të gjitha këto, Kiks Kosova ka tentuar të marrë një qëndrim të ministrit përmes telefonit, madje edhe duke i dërguar mesazh, mirëpo deri në transmetimin e kësaj storje, përgjigje nuk dërgoi.
Emisioni ka kërkuar përgjigje edhe nga Agjensioni për regjistrimin e bizneseve, mirëpo të njëjtit deri në publikimin e storjes nuk kanë kthyer përgjigje.