Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror.
Kritikat e tij, Haziri i bëri gjatë Akademisë Përkujtimore për Ibrahim Rugovën në Gjilan.
Sipas tij, LVV-ja në Gjilan ka anuluar Akademinë për Rugovën, e cila shënohej në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit”.
Haziri ka akuzuar Vetëvendosjen në Gjilan, se me urdhër nga Prishtina e ndalën Akademinë për Rugovën, sepse sipas tij, Rugova po iu pengon edhe për së vdekuri.
“Tash jemi në opozitë në Gjilan edhe në nivel qendror. Sa herë që jemi dalë prej zyrës, punën e parë që kanë mujt me ba kta, e kanë largu Akademinë e Ibrahim Rugovës nga manifestimi ‘Flaka e Janarit’. Manifestimi ‘Flaka e Janarit’ është ndërtuar në shtylla të vjetra dhe shtyllat e saja nuk preken asnjëherë sepse është ndërtuar në kohën më të vështirë”.
“Sa here që ne kemi ndryshu pak, këta punën e parë që e bëjnë është me e goditë figurën e Ibrahim Rugovës. Edhe për së vdekuri po ju pengon. Edhe vitin e kaluar tentuan, por arritëm me e parandalu. Këtë vit e bënë, me porosi. Përderisa shkojnë jargiten, e thyejnë kurrizin para varrit të tij në Prishtinë, në Gjilan ia ndalin aktivitetin”, ka thënë Haziri, shkruan Klankosova.tv.
Tutje Haziri ka thënë se pavarësisht ndaljes së këtij aktiviteti, partia e Presidentit Rugova, familja e tij, e rugovistët nuk do ta lënë asnjëherë vet duke shtuar se sa ishin ata në pushtet i nderonin të gjitha figurat, ndërsa sipas tij, këta po i dallojnë edhe figurat historike.
“Por e mira e madhe në këtë demokraci e në këtë liri të Kosovës është se familja e tij, besimtarët e tij, paqësorët e tij, rugovistat e tij, nuk e lanë kurrë vet dhe kanë me qëndru gjithmonë. Edhe të familjes së tij edhe të partisë së tij, bashkë. Ne në Gjilan e kemi pa që Gjilani ka mbet pa kryetar. JO pse ne po mundemi ta themi, por sepse Gjilani udhëhiqet nga dikush tjetër – nga zëvendësministra, këshilltarë të tyre e nga grupe joformale”, tha ai, teksa shtoi se po të kishte Gjilani kryetar, akademia kushtuar Rugovës do të mbahej në “Flaken e Janarit”.
Ky manifestim, tha ai, është shpirtëror dhe trashëgimi në kalendarin kombëtar.
“Ne datat nuk mundemi me i ndryshu, sepse Skenderbeu ka vdekë në Janar, edhe Ibrahim Rugova ka vdekë në Janar edhe Rexhep Mala dhe shumë të tjerë. Ne i kemi nderu të gjithë pa dallim. Neve po na dallojnë. Por ne e dimë se kjo komunë s’ka kryetar, dhe do të mundohemi ta ruajmë këtë pak demokraci të zhvillume”, ka deklaruar i pari i LDK-së në Gjilan.