Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se ShBA-të i kanë vendosur disa kufizime kryeministrit Albin Kurti dhe disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, gjë që nuk ka ndodhur më parë me funksionarë të Qeverisë.
Në rastin e kryeministrit Kurti, Haziri përmendi Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku kryeministrin nuk e takoi administrata e ShBA-së. Ai shtoi se një lloj kufizimi i tillë është duke i ndodhur për të dytën herë kryeministrit.
Sipas Hazirit, të njëjtat kufizime ndaj Kurtit dhe qeveritarëve mund t’i aplikojë edhe Bashkimi Evropian.
“Një numër i madh i zyrtarëve të partisë të shumicës është në kufizime edhe sot. Mund t’i aplikojë edhe BE’ja shumë shpejt, nëse s’kanë fillu me apliku për disa prej tyre. Një lloj kufizimi ka, injorimet në nivelet e larta, si konferenca e Mynihut, që nuk është hera e parë, është hera e dytë, Kurtin nuk e kanë takuar republikanët si administratë për shkak të një marrëveshje të transportit”, tha ai në T7.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se asnjëherë më parë s’ka ndodhur që në ndonjë konferencë ndërkombëtare, ku ka marrë pjesë Kosova dhe delegacioni i ShBA-ve, të mos ketë takim mes të dy palëve.
“Nuk ka ndodh që prania e Kosovës në çdo konferencë ndërkombëtare që ka qenë, nëse delegacioni amerikan ka qenë aty e mos m’u taku”, tha ai.