Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se shteti i Kosovës nuk ka bazë ligjore që t’a paguajë dëmshpërblimin për viktimat në rastin e Salih Mustafës.
Haxhiu e ftuar në Tëvë1, ka thënë se nuk mund të veprojnë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
“Më duhet të theksoj se ne nuk mund të veprojmë në shpërputhje me legjislacionin që ka Republika e Kosovës. Ne e kemi Ligjin për kompensimin e viktimave të krimit dhe ky Ligj jep mundësi Komisionit përkatës, që është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë që të kompensojnë viktimat e krimit. Mirëpo për veprat të cilat nuk ndërlidhen me luftën. Prandaj ne edhe kemi sqaruar se rregullimi aktual nuk e adreson këtë çështje…unë mendoj se nuk ka bazë ligjore për të bërë një gjë të tillë.” – ka thënë ajo.
Dhomat e Specializuara të Hagës kanë vendosur që Salih Mustafa do u paguajë 207 mijë euro dëmshpërblim viktimave në rastin e tij. Më 16 dhjetor 2022, trupi gjykues e ka shpallur fajtor dhe ka dënuar Salih Mustafën me 26 vite burgim për krime lufte.
Kërkesa e Gjykatës Speciale…
Ndryshe, Gjykata Speciale ditë më parë ka publikuar një vendim përmes të cilit ka vendosur që Salih Mustafa, i dënuar me 26 vite burgim, në emër të zhdëmtimit, duhet t’i kompensojë më 207 mijë euro viktimat e pranuara në aktakuzën kundër tij. Në këtë vendim, Dhomat e Specializuara kanë sugjeruar Kosovën të themelojë një mekanizëm për zhdëmtimin e viktimave, duke synuar të përfshijë penalisht shtetin e Kosovës në krimet e pretenduara individuale të ish-ushtarëve të UÇK-së.
“Një nga aktorët e parë mund të jetë Kosova. I bëri thirrje Kosovës të krijojë mekanizëm për zhdëmtim. Sipas trupit gjykues kjo do të garantonte një trajtim të barabartë dhe viktimave e të dyshuarve dhe të akuzuarve në procese. Trupi gjykues rekomandoi gjithashtu krijimin e një fondi për viktimat, në rast se Kosova nuk i përmbush detyrimet për viktimat rreth një mekanizmi për zhdëmtim. Fondi duhet të mbështetet financiarisht para se të gjithash nga Kosova, por edhe shtete tjera që duan t’i mbështesin viktimat.” – theksoi ajo.
Këtë vendim e kritikuan juristët. Një vendim i tillë, sipas juristit Durim Berisha, i ngarkon shtetit të Kosovës një përgjegjësi që nuk bie mbi të.
“Përmes kërkesës për të themeluar nje mekanizëm për zhdëmtim të viktimave, Dhomat e Specializuara po i ngarkojnë shtetit të Kosovës një pëegjegjësi që nuk bie mbi të. Kosova u themelua si shtet i pavarur më 17 shkurt 2008 dhe është përgjegjëse vetëm për veprimet e zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike në kuadër të institucioneve të saj.” – tha ai për gazetën Nacionale.
Edhe juristi tjetër, Armend Shkoza, vlerëson se Kosova nuk ka asnjë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara në mënyrë individuale nga ish-pjesëtarët e UÇK-së.
“Lidhur me zhdëmtimin e viktimave që kanë pësuar nga dëmet eventuale si pasojë e veprimit të ushtarëve të UÇK-së, unë konsideroj se nuk mund të trajtohet si përgjegjëse Republika e Kosovës në raport me veprimet apo dëmet që mund të jenë shkaktuar nga pjesëtarët në mënyrë individuale, sepse UÇK-ja nuk paraqitet si paraardhëse apo si mekanizëm paraardhës i Republikës së Kosovës” – deklaroi juristi Shkoza.