Policia e Kosovës ka njoftuar se Enver Sekiraqa është në arrati.
Ai nuk është gjetur në shtëpi për dy ditë rradhazi.
Në lidhje me këtë ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo ka kritikuar vendimin e gjykatësit që e ka lënë Sekiraqën në arrest shtëpie.
Ky është postimi i saj i plotë:
Kjo qasje joprofesionale e gjyqtarëve në shumë raste po rezulton me trashje të krimit. Herë po manifestohet me vrasje e herë me arratisje të tërësishme. Dhe ky nuk është gabim i izoluar, por veprime të shpeshta që po shndërrohen me mendësi të gjykimit e të cilat po përkthehen në stimulim të kriminelëve.
Caktimi i masës së arrestit shtëpiak, e mosndryshimi i asaj mase, është skandal i madh. Madje kjo arratisje në fakt indirekt ishte paralajmëruar në seancën e shpalljes së aktgjykimit për Sekiraqën kur ai nga seanca u njoftua se do t’i ndërpritej me një vendim tjetër masa e arrestit shtëpiak për t’u kthyer në paraburgim!
Duket që sistemin ynë gjyqësor për shkak të përvojës së mbrapshtë në mungesë të dënimit të peshqve të mëdhenj po vazhdon të mos këndellet nga gjendja e vet duke toleruar kështu arratisje e përsëritje të veprave kriminale.