Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj vlerëson se për shkak të joprofesionalizmit dhe joseriozitet të ministrisë së Drejtësisë për të argumentuar nevojën për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës ka rezultuar edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila këtë ligj e shpalli të pavlefshëm.
Miftaraj tha se MD nuk ka dërguar dëshmi për ta bindur Kushtetuesen për problemet që ka sistemi prokurorial i Kosovës.
“Reforma në sistemin prokurorial, në këtë rast ligji për KPK ka dështuar më shumë për shkak të joprofesionalizmit, por edhe joseriozitetit të ministrisë së Drejtësisë për ta argumentuar të njëjtin pranë Gjykatës Kushtetuese…Gabimin që e ka bërë MD ka qenë se kur e ka miratuar ligjin, kur ka komunikuar me Gjykatën Kushtetuese në bazë të asaj që përcakton ligji nuk ka dërguar dëshmi dhe nuk e ka bindur Gjykatën Kushtetuese lidhur me problemet që ka sistemit prokurorial”, thekson ai.
Miftaraj thotë se Ligji për KPK-në ka qenë shpresë se do të ndërprehej pandëshkueshmëria dhe mungesa e rezultateve në sistemin prokurorial të Kosovës.
Sipas njohësit të sistemit të drejtësisë, ky ligj në asnjë rrethanë nuk ka paraparë asnjë mundësi për politizim të sistemit.
Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Ehat Miftaraj thekson se tanimë e tërë përpjekja për reformë në Këshillin Prokurorial të Kosovës është kthyer në pikën zero dhe gjithçka duhet të nisë nga fillimi.
Sa i takon deklaratave të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila vendimin e Kushtetuese për Ligjin për KPK-në e quajti absurd, Miftaraj thotë se me këto komentime po cenohet pavarësia e këtij institucioni.
“Si duket, ministrja Haxhiu pothuajse është e papërmirësueshme në këtë aspekt. Komentimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën cenim të pavarësisë së këtij institucioni”, tha ai.
Sipas tij, vendimet e Gjykatës Kushtetuese vetëm duhet të zbatohen e jo të komentohen.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës në javën e kaluar e shpalli të pavlefshëm Ligjin për KPK-në.
E pas vendimit të Kushtetueses, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e quajti absurd këtë vendim. Ajo, në një konferencë për medie deklaroi se Kushtetuesja ka injoruar në tërësi të dy opinionet e Komisionit të Venecias në lidhje me këtë ligj, duke i dhënë një goditje të rëndë Kosovës, por edhe duke penguar reformën në drejtësi.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës në muajin korrik të vitit të kaluar e kishin dorëzuar në Kushtetuese për interpretim ligjshmërinë e Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës për vlerësim.