Komisioni për Buxhet dhe Transfere s’ka miratuar propozimin që t’i rekomandohet Kuvendit shqyrtimi i ligjit që mundëson tërheqjen prej 30 për qind nga Fondi i Kursimeve Pensionale.
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, lidhur me këtë ka thënë që deputetët janë në presion nga qeveria që të mos e votojnë këtë projektligj.
“Në komision është votuar 5 vota pro dhe 5 vota kundër dhe një abstenim – sipas procedurës parlamentare tash projektligji vjen në seancën e kuvendit pa rekomandim të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere. Shkon në Kryesi dhe që ta fusin në rend të ditës për seancë”, tha Haxhiu për Klan Kosovën.
“Dyshoj se mund të ketë një prolongim edhe nga ana e kryesisë – ky projektligj është dashur që të trajtohet më herët dhe në afatin ligjor është dashur që nesër të jetë në rend të ditës. Komisioni Parlamentar të paktën ta trajtonte një javë ose 10 ditë më herët”, shtoi ai.
“Është prolonguar që ky projektligj të trajtohet në Komisionin Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere me qëllim që të ushtrohet presion mbi deputetët për të ndryshuar mendimin dhe për të votuar kundër këtij projektligji. Kam biseduar edhe me deputetë të mazhorancës dhe të minoriteteve në lidhje me këtë. Sot Duda Balje tha që ka pas një presion, është deklaruar pro këtij projektligji, por për shkak të ndikimit të qeverisë dhe disa deputetëve të minoriteteve në komision ka prezantuar qëndrimin e grupit parlamentar dhe për këtë arsye abstenoi”, tha Haxhiu.