Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, në mënyrë që të formojë qeverinë e re, duhet medoemos të bëjë koalicion me Listën Serbe.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ai tha se përjashtimi i Listës Serbe nuk lejohet me Kushtetutë.
“Janë dy situata që i njeh Kushtetuta: e para, ministri jo-shqiptar, kërkohet konsultim me ato parti, nëse është anëtar i Kuvendit, pra është deputet, nëse zgjidhet nga jashtë, sepse qeveria mund të zgjidhet nga njerëz jashtë procesit zgjedhor, atëherë kërkohet vendim formal i atyre që i përfaqësojnë komunitetet, pra që kanë dalë nga vota, që do të thotë Lista Serbe. Edhe para kësaj here ka bërë shkelje kushtetuese, sepse kur Nenad Rashiqi është emëruar ministër s’ka qenë deputet, me sa e di unë. Tash është deputet, por nëse duan ta zgjedhin, i kanë dy mundësi: edhe LS edhe partia e Rashiqit, nëse duan ta zgjedhin brenda, kryeministri konsultohet me ta dhe vendosë vetë, s’ka problem. Por, nëse nuk duan ta zgjedhin Rashiqin, as prej Listës Serbe që është deputet brenda, e bën nga jashtë. Ai mund ta bëjë, por e shkel Kushtetutën”, deklaroi Hasani.
Sipas rezultateve preliminare, LVV-së i duhen edhe së paku 3 deputetë, edhe nëse bashkohet me deputetët e komuniteteve jo-shumicë, përjashto Listën Serbe, që të formojë qeverinë.
E Hasani thotë se për të mandatuar partinë fituese për formimin e qeverisë së re, rol kolosal ka presidentja e vendit.
“Rol kolosal ka shefja e vendit, presidentja e Republikës. Ajo duhet paralel ta thërrasë kuvendin, meqë janë raportet e acaruara siç e dimë, për arsye të njohura brenda spektrit politik, sepse Kushtetuta thotë se pas zgjedhjeve, që nënkupton certifikimin, menjëherë të thirren të gjitha forcat politike, së pari forcën fituese që është VV-ja dhe t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë”, deklaroi Hasani.